Vrasja në Don Bosko, reagon Meta: Sfidë e krimit ndaj shtetit. Autorët të vihen para drejtësisë

Publikuar më: 5/1/2022, ora 11:30
15 PRILL 2021 META frame 42659 1024x576 1

Vrasja në Don Bosko, reagon Meta: Sfidë e krimit ndaj shtetit. Autorët të vihen para drejtësisë

Publikuar më: 5/1/2022, ora 11:30

Një ditë pas vrasjes në Don Bosko, ku mbeti i vrarë një person dhe katër të tjerë u plagosën, ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit e konsideron një sfidë të hapur të grupeve kriminale ndaj shtetit dhe institucioneve, por edhe kërcënim të rëndë për sigurinë dhe jetën e qytetarëve.

“Dënoj me forcë ngjarjet kriminale të ditëve të fundvitit dhe të ditëve të para të vitit të ri, të ndodhura në disa qytete të vendit, e veçanërisht ngjarjen fatale në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë, ditën e djeshme, që përfundoi me vrasjen e një shtetasi dhe plagosjen e disa të tjerëve. Një akt i tillë kriminal, në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, jo vetëm përbën një sfidë të hapur të grupeve të krimit të organizuar ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, por edhe një kërcënim të rëndë për sigurinë dhe për vetë jetën e qytetarëve të Tiranës”.

Sipas Metës, kjo është pasojë e moszbulimit të akteve të tjera kriminale dhe mosvënies para drejtësisë të autorëve. Ai i bëri thirrje institucioneve ligjzbatuese, të arrestojnë autorët dhe të parandalojnë ngjarje të tilla.

“Kjo është rrjedhojë e një sërë aktesh të tjera kriminale, që kanë mbetur të pazbuluara dhe ku autorët nuk janë vënë përpara drejtësisë. I bëj thirrje Policisë së Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve ligjzbatuese në vend, të forcojnë punën, së pari për arrestimin e autorëve të këtij krimi të rëndë, por edhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet tyre për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen”.