Berisha: Gazetarët e RD u nxorën me dhunë nga selia e PD. Urrejtje e Bashës ndaj fjalës së lirë

Përditësuar më: 6/1/2022, ora 13:52
berisha5 1080x720

Berisha: Gazetarët e RD u nxorën me dhunë nga selia e PD. Urrejtje e Bashës ndaj fjalës së lirë

Përditësuar më: 6/1/2022, ora 13:52

Pas deklaratave të kryeredaktorit të Rilindjes Demokratike, Bledi Kasmi, se gazetarët e kësaj gazete janë nxjerrë nga zyrat e tyre në selinë blu në mënyrë të dhunshme dhe janë hedhur në rrugë, ka ardhur reagimi i Sali Berishës. Në një postim në rrjetet sociale, ish-kryeministri, e konsideron këtë një akt urrejtjeje dhe Lulzim Bashës ndaj fjalës së lirë.

“Përzënia e Rilindjes Demokratike nga zyrat akt urrejtje i Lul Bravës ndaj fjalës së lirë! Dje në 30-vjetorin e Rilindjes Demokratike, Peng Basha me urdhër të pengmarrësit të tij Edvin Rama, në një akt intolerance dhe urrejtje për fjalën e lirë përzuri me dhunë nga zyrat e veta në selinë e Partisë Demokratike gazetën Rilindja Demokratike, gazetarët e saj”.

Berisha u bën thirrje shoqatave të gazetarëve të vendit dhe të huaja, si dhe institucioneve ndërkombëtare ta dënojnë këtë akt ndaj mediave

“Duke dënuar me ashpërsinë me të madhe këtë dhunim të pashembullt të fjalës së lirë, gazetarëve dhe gazetës Rilindja Demokratike në 31-vjetorin e tyre, ju bëj thirrje shoqatave të gazetarëve të vendit dhe të huaja, si dhe institucioneve ndërkombëtare, zyrave të OKB, OSBE, KE, PE, që merren me lirinë e mediave të dënojnë këtë akt të pashembullt banditesk ndaj mediave të deputetit peng të qeverisë Lulzim Brava”.

Sipas Berishës, ky veprim erdhi pas qëndrimeve dinjitoze dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes të Rilindjes Demokratike, e cila thekson ai nuk është as e Berishës dhe as e Bashës, por besnike e fjalës së lirë dhe të vërtetës.

“Ky akt i shëmtuar antidemokratik erdhi si rezultat i qëndrimeve dinjitoze dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes të Rilindjes Demokratike. Gazetarët dhe kryeredaktori i saj Bledi Kasmi në kulmin e krizës që kaloi Partia Demokratike dëshmuan para demokratëve dhe mbarë shqiptarëve se Rilindja Demokratike nuk ishte gazetë e Sali Berishës as dhe e Lulzim Bravës, por kishte mbetur besnike e misionit të saj të madh për të cilin lindi: zëdhënëse e fjalës së lirë, e të vërtetës, anticensurës, mendimit të pavarur intelektual, transparencës së guximshme të krimeve të narkoshtetit, interesit kombëtar. Deputeti Lulzim Basha me dëbimin e gazetarëve të gazetës Rilindja Demokratike kreu ndaj kësaj gazete një akt të pashembullt të cilin nuk e ndërmorën në lindjen e saj diktatori Ramiz Alia as dhe rebelët komunistë që erdhën në pushtet me flakë dhe tym në vitin 1997”.