“Protesta e 8 janarit për rimarrjen e selisë”, Sorina Koti sqaron edhe pozicionin e saj në PD

Përditësuar më: 6/1/2022, ora 10:35

“Protesta e 8 janarit për rimarrjen e selisë”, Sorina Koti sqaron edhe pozicionin e saj në PD

Përditësuar më: 6/1/2022, ora 10:35

Deputetja e Partisë Demokratike, Sorina Koti, e cila një ditë më parë u shfaq krah komisionit të rithemelimit të PD-së, ka folur në studion e “Ditarit” në A2 CNN se çfarë do të ndodhë në protestën e 8 janarit të thirrur nga ky komision. Ajo mohoi të ishte pjesë e komisionit të Rithemelimit të PD-së, por shtoi se është në krah të demokratëve dhe anëtarëve që duan hapjen e PD-së dhe rimarrjen e selisë.

“Asgjë nuk ka ndryshuar nga prezenca ime dje në selinë e partisë apo nga kuvendi i 11 dhjetorit. Unë nuk jam pjesë e komisionit të rithemelimit. U ndjeva e befasuar që për herë të parë në jetën time, për herë të parë derën e PD-së e gjenim të mbyllur. Ajo seli është e të gjithëve ne. Të ndjehesh i bllokuar kur jemi krijuar si parti  e fortë me vlera të larta dhe të shohësh PD-në që ka vetëm militantë që mezi presin të ketë opozitë reale, ne gjetëm dje oborrin bosh”.

Ajo tha se protesta e 8 janarit është simbolike dhe është thirrur nga anëtarët e partisë të cilët duan të marrin në dorë fatet e veta. Sipas saj, nuk ka ndodhur kurrë që dera e kësaj partie të jetë e mbyllur.

“Është hera e parë në politikën e brendshme, të kryhet një analizë dhe pastaj të përballemi me kundërshtarin. Në momentin kur demokratët kanë kohë që nuk dëgjohen, ishte si tenxhere me presion që problemet e mbledhura do të shpërthenin, dhe më mirë që shpërthyen, pasi do të vijë momenti të qartësohen. Nuk është Berisha, por anëtarët që thirrën kuvendin, po thërrasin protestën dhe është: Hap PD, hap selinë. Nuk ka ndodhur kurrë që dera e PD-ja të jetë e mbyllur dhe aq më tepër të marrim leje për të hyrë në parti. Ka një procedurë dhe duhet të kishte njoftime se çfarë ndodh me godinën. Në datën 8 është një protestë simbolike për rimarrjen e selisë, se selia është e demokratëve. Demokratët nuk kanë nevojë për një godinë për t’u mbledhur. Por godina është shtëpia jonë, simbolika jonë. Është hera e parë që anëtarët e partisë po marrin në dorë fatet e tyre”.

Sa i takon pozicionit të saj aktual në parti, pas qëndrimeve pro komisionit të rithemelimit, deputetja Koti thekson se vazhdon të mbajë postin e nënkryetares së komisionit të Ekonomisë. E pyetur nëse do të ketë fatin sikurse kolegët e tjerë të shkarkuar ajo thotë se nuk ka asnjë njoftim për këtë.

“Unë i qëndroj vendimit tim personal që PD-së i bëjnë mirë debatet, me bindje kam marrë pjesë në të dyja kuvendet. Ku janë demokratët duhet të jemi dhe ne se demokratët na bëjnë kryetar e deputet dhe ashtu siç na i japin pozicionet ashtu na shkarkojnë, por pas datës 11, pas vendimeve që u morën atje, unë nuk mund të isha pjesë e vendimeve ku do të shkarkoheshin kolegët e mi. Në momentin që demokratët kërkojnë diçka, ne duhet të jemi atje. Unë e mbaj ende pozicionin e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, nuk cenoj askënd, kam qëndruar korrekte në seancat parlamentare. Nuk ka asnjë njoftim dhe do të më vinte keq. I qëndroj vendimit që PD-ja duhet të pranojë të gjithë njerëzit që mendojnë ose jo si kryetari. Është mirë të gjithë të dëgjojnë bazën”.