Trafikimi i 119 kg kokainë, merren në pyetje doganierët dhe punonjësit e skanerit

Publikuar më: 6/1/2022, ora 14:14
939ddcdb db54 447a 82ab 5512ecbbf25c w1600 r1.292760540970565 fpx44.87 fpy50 931x720

Trafikimi i 119 kg kokainë, merren në pyetje doganierët dhe punonjësit e skanerit

Publikuar më: 6/1/2022, ora 14:14

Prokuroria ka marrë në pyetje agjentët doganorë dhe punonjësit e skanerit të cilët kanë qenë në punë ditën kur kaloi kamioni me 119 kilogramë kokainë në portin e Durrësit. Dyshime mbi ta janë ngritur pasi kontejneri u skanua dhe nuk u vu re droga.

Kokaina u sekuestrua më 30 dhjetor. Për këtë rast, u arrestuan 3 persona, Hasan Salihu, 63 vjeç, Gëzim Kalaja, 31 vjeç, banues në Tiranë, drejtues të automjeteve të firmës dhe Marson Murataj, 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i firmës së bananeve. Policia tha se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë ushtruar kontroll në kamionin që transportonte kontejnerin me lëndë narkotike. Ndërkohë, në bashkëpunim me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Zbulimi i 119 kilogramëve kokaine të gjetur sërish në një kamion me banane nga Ekuadori, ishte një nga ngjarjet më të bujshme të kronikës në orët e fundit të vitit 2021. Tre të arrestuarit kanë mbajtur qëndrim mohues, duke pretenduar se nuk kanë asnjë lidhje me kokainën.

Ndërkohë, A2 CNN zbulon edhe deklaratat e bëra autoriteteve nga shoferi i kamionit në fjalë, Hasan Salihu. Ai tregon se si mbrëmjen e 28 dhjetorit, pasi ka marrë kontejnerin me banane në Romanat e kanë ndaluar 4 persona, që i janë prezantuar si “shteti”, një nga të cilët e ka kërcënuar dhe tre të tjerët i kanë kontrolluar ngarkesën. Sipas shoferit të arrestuar, më pas ka zbritur edhe personi që ndodhej në kabinë dhe 4 personat bashkë janë larguar në drejtim të rrugës nacionale për Durrës.