Trazirat në Capitol, Biden fajëson Trump në 1-vjetorin e sulmit

Përditësuar më: 6/1/2022, ora 13:29

Trazirat në Capitol, Biden fajëson Trump në 1-vjetorin e sulmit

Përditësuar më: 6/1/2022, ora 13:29

Presidenti amerikan Joe Biden do të fajësojë Donald Trump për trazirat në Capitol, në 1 vjetorin e sulmit që tronditi themelet e demokracisë në SHBA.

Siç bëri të ditur zëdhënësja e tij Jen Psaki, kreu i Shtëpisë së Bardhë do të thotë në një fjalim gjatë së enjtes se paraardhësi i tij ka çdo përgjegjësi për kaosin dhe kërdinë në godinën e Kongresit. Mbështetësit e Trump mësynë godinën teksa Kongresi ishte mbledhur për të certifikuar fitoren e Biden në zgjedhjet presidenciale.

Imazhet e ligjvënësve të strukur nga turma e anarkistëve në galerinë e Dhomës së Përfaqësuesve atë pasdite të 6 janarit, tronditën botën. Hetuesit kanë arrestuar deri më tani 725 persona lidhur me sulmin dhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland u zotua të mbajë përgjegjës këdo që është i përfshirë, pavarësisht faktit nëse ka qenë fizikisht atje apo jo.

 “Ata që janë përfshirë në këto vepra duhet të mbajnë përgjegjësi dhe nuk ka asnjë përparësi më të madhe se kjo për ne në Departamentin e Drejtësisë. 6 janari ishte një sulm i paprecedentë ndaj demokracisë”, deklaroi prokurori i Përgjithshëm.  

Një hetim lidhur me ngjarjen po zhvillohet nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve të dominuar nga demokratët. Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi do të udhëheqë 1 minutë heshtje, në Kongresin ku do të ketë kryesisht demokratë.

Ish-presidenti Trump kishte planifikuar të mbante një konferencë për shtyp nga shtëpia e tij në Mar a Lago të Floridas, por i anuloi planet pasi bashkëpunëtorët e paralajmëruan për mbulim të keq mediatik. Një zëdhënës i Trump tha se ishte e pritshme që Biden do të kalonte ditën duke u përpjekur të përçajë më tej vendin duke e zhvendosur vëmendjen nga inflacioni në rritje, krimi dhe mbyllja e shkollave për shkak të koronavirusit.