Basha: Berisha ju ka mashtruar rreth arsyeve përse është shpallur “non grata”

Përditësuar më: 7/1/2022, ora 17:48
basha1 1280x720

Basha: Berisha ju ka mashtruar rreth arsyeve përse është shpallur “non grata”

Përditësuar më: 7/1/2022, ora 17:48

Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, në një deklaratë për mediat një ditë para protestës së thirrur nga Sali Berisha, iu drejtua demokratëve duke deklaruar se “Sali Berisha ju ka mashtruar dhe ka dashur t’ju bëjë për budallenj me sajesat dhe trillimet e tij qesharake rreth arsyeve përse është shpallur “non grata” nga SHBA, në një kohë kur motivacioni ka qenë dhe është i qartë për çdokënd që nuk ka dëshirë të gënjehet”. 

“Shpallja “non grata” si instrument i antikorrupsionit dhe mbrojtjes së demokracisë nga minuesit e saj, po ngrihet si stuhi në Shqipëri dhe në rajon. Kushdo ka mundësi të qartësohet përmes shembujve konkretë për arsyet e këtyre shpalljeve që po shoqërohen me sanksione ndaj pasurisë së paligjshme të personave të shpallur “non grata” dhe sipërmarrjeve që i mbështesin. Sali Berisha ka mashtruar me përpjekjet e tij të vazhdueshme për t’ua mbajtur të fshehtë procedurën e shpalljes “non grata” që merr kohë dhe përfshin disa institucione e agjenci ligjzbatuese në shtetin më të fuqishëm të botës, që nga Departamenti i Shtetit, te Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Thesarit dhe agjensitë e Sigurisë Kombëtare dhe ligjzbatimit”, tha Basha.

“Sali Berisha, duke njohur mirë ndjenjat proamerikane të shumicës dërrmuese të demokratëve dhe popullit shqiptar, ka mashtruar duke ju mbajtur të fshehtë me sa ka mundur deklaratat e qarta e të përsëritura të përfaqësuesve të SHBA dhe Presidentit Biden, se SHBA do të ndërpresë çdo marrëdhënie me një PD të drejtuar nga një person “non grata”, cilidoqoftë ai. Sali Berisha ju ka mashtruar e ushqyer me iluzione sikur “non grata” amerikane është një vendim politik i një administrate që mund të hiqet nga administrata tjetër, dhe jo një vendim institucional që piqet për shumë kohë dhe merret përmes bashkëpunimit e bashkërendimit të shumë institucioneve e agjencive të zbatimit të ligjit. Shpallja “non grata” për korrupsion nuk i është hequr kurrë, askujt”, shtoi Basha.

Sipas tij, “Sali Berisha është treguar gënjeshtar me ju duke e përjashtuar veten e tij nga vendimmarrjet më të rendësishme të PD-së gjatë tetë viteve tona në opozitë, në një kohë kur ai ka qenë pjesë e vendimmarrjes, madje edhe duke i paraprirë me deklarata mediatike, dhe me protagonizmnin e tij rivalizues me institucionet e zgjedhura të PD”.

“Unë kam pranuar përgjegjësitë e mia për këtë situatë, por Sali Berisha nuk mund të bëjë sikur ka qenë në ndonjë ishull prej nga u kthye pas tetë vjetësh. Sali Berisha ju ka mashtruar keq duke gënjyer, trilluar e shpifur pa hesap kundër meje, pa paraqitur asnjë fakt a provë sado të vogël, e gjithë kjo që të mbledhë pas vetes mbështetës e të bëjë turmën e karshillëkut kundër SHBA dhe të hedhë demokratët kundër njëri-tjetrit. Sali Berisha ka shpërdoruar vullnetin e atyre demokratëve që firmosën për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakoshëm të PD-së, duke mos lejuar kalimin e firmave të tyre në rrugën ligjore, që përcakton kushtetuta e partisë”, u shpreh Basha.