Fluks vizitash në urgjencën e spitalit të Kukësit, 50-70 pacientë në ditë

Përditësuar më: 7/1/2022, ora 14:26

Fluks vizitash në urgjencën e spitalit të Kukësit, 50-70 pacientë në ditë

Përditësuar më: 7/1/2022, ora 14:26

Java e parë e janarit ka shënuar rritje të ndjeshme të rasteve të personave që kërkojnë ndihmë mjekësore pranë urgjencës së spitalit rajonal të Kukësit.

Sipas personelit, kjo situatë është efekt i festimeve të fundvitit, ardhjes së emigrantëve dhe ka një ndërthurjes mes virozave të stinës dhe virusit COVID-19.

 “Kemi një fluks të shtuar të rasteve, ku kanë ndikuar grumbullimet me familjarët dhe emigrantët që janë kthyer për të festuar. Mund të vijnë 50-70 raste në ditë, kryesisht me temperaturë. Ka edhe me diarre, por kryesisht me temperaturë dhe probleme të frymëmarrjes”, thotë për A2 CNN nëndrejtori i spitalit rajonal Kukës, Sulejman Sokoli.

Nëndrejtori i spitalit rajonal Kukës, Sulejman Sokoli

Nisur nga fluksi dhe pamjaftueshmëria e ambienteve të spitalit, nëndrejtori u bën apel qytetarëve që të mos dynden në dyert e urgjencës pasi u konsultuan më parë me mjekun e familjes.

“Mos të paraqitet direkt në spital, por të paraqiten te mjeku i familjes për raste me një ose dy ditë temperaturë, sepse spitali aktualisht është i mbingarkuar”, thotë ai.  

Zbatimi i masave anti-covd, si dhe vaksinimi është apeli që personeli mjekësor bëjnë për qytetarët në mënyrë që të mos mbingarkohet sistemi shëndetësor dhe që të garantohet një shërbim sa më cilësor mjekësor.