Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Manastirliu: 80% e administratës e vaksinuar. Jemi në gatishmëri për çdo skenar të rritjes së rasteve

Nga A2 CNN
7 Janar 2022, 13:23 | Aktualitet
Manastirliu: 80% e administratës e vaksinuar. Jemi në gatishmëri

Rreth 80% e punonjësve të administratës, 70% e punonjësve të supermarketeve janë të vaksinuar ndaj COVID-19. Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga pika e vaksinimit në stadiumin “Air Albania”, në bazë të të dhënave të inspektimeve të Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor. Ajo theksoi se inspektimi do të vazhdojë në të gjithë institucionet e tjera.

“Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka bërë një verifikim në më shumë se 500 institucione shtetërore, deri më tani rreth 80% e punonjësve rezultojnë të vaksinuar. Ne do ta vazhdojmë këtë inspektim padyshim, me të gjithë institucionet e tjera. Në supermarket apo në qendra tregtare ka vijuar inspektimi nga strukturat tona të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe rezultojnë rreth 70% deri më sot. Janë rreth 120 struktura supermarketesh apo qendrash tregtare dhe struktura shërbimesh në tërësi që janë inspektuar në këto ditë pas daljes së vendimit”.

Manastirliu theksoi se të gjitha strukturat spitalore janë në gatishmëri të plotë për çdo skenar që mund të krijohet nga rritja e rasteve të qytetarëve të infektuar me COVID-19.

“Ajo çfarë po bëjmë, është që jemi tashmë në gatishmëri pasi rritja e numrit të rasteve sidomos në ditët e fundit ka vendosur në një gatishmëri të shtuar gjithashtu edhe spitalet tona. Aktualisht nuk kemi një numër të shtuar të të shtruarve në spitale, por sigurisht kemi gjithë gatishmërinë në territor edhe në spitalet rajonale, por edhe në spitalet Covid 1, Covid 3 dhe Covid 4, të gatshëm nëse do të kemi një rritje të fluksit të rasteve me COVID”.

Ministrja apeloi për vaksinim dhe zbatim të masave anti-Covid dhe shtoi se situata po vlerësohet në mënyrë dinamike nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve është duke ndjekur në vazhdimësi situatën, duke e ndjekur në dinamikë atë, duke vlerësuar të gjithë indikatorët epidemiologjikë. Duke vlerësuar sigurisht edhe masat aktuale. Ndaj apeli është zbatimi i masave të cilat janë në fuqi dhe sigurisht më pas duke vlerësuar në mënyrë dinamike situatën epidemiologjike do të rivlerësojmë padyshim nëse do të ketë nevojë edhe masat aktuale që kemi”.

Në total janë kryer 2,447,906 vaksinime antiCOVID nga të cilat 1,166,235 qytetarë kanë kryer të paktën një dozë të vaksinës ndaj COVID19.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani