“Janë mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë”, Basha: PD ka marrë masa që të përballet

Përditësuar më: 8/1/2022, ora 08:10

“Janë mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë”, Basha: PD ka marrë masa që të përballet

Përditësuar më: 8/1/2022, ora 08:10

Lulzim Basha u shpreh pasditen e sotme se ditën e nesërme, në protestën e thirrur nga Sali Berisha në selinë e Partisë Demokratike, “ai ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë”. Por, kreu i PD-së, shtoi se kjo parti ka marrë masat për t’u përballur “dhe t’u tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj”.

“Selia është e demokratëve pa dallim, është shtëpia e lirisë, e mendimit të lirë, shtëpia e bashkimit rreth interesit që na bashkon të gjithëve, pro meje apo kundër meje, që është largimi një orë e më parë i qeverisë se rekordeve të zeza të Edi Ramës. Por, kjo seli nuk është e nuk do të jetë han mesjetar ku mund të hyjnë duke u kapardisur eksponentë të botës së trafiqeve dhe krimit, apo të merret peng nga ish-zyrtarë të korruptuar të qeverisë së PD-së. Selia e PD-së nuk do të jetë arenë vetëgjyqësie për interesat e Sali Berishës”, tha Basha.

“Përplasje të tjera nga ato që ka ndërmend Sali Berisha dhe skenaristët e të ashtuquajturës protestë para selisë së PD-së nuk ka e nuk duhet të ketë. Demokratëve u bëj thirrje t’u rrinë larg skenarëve të dhunës që duan destabilizim dhe shkatërrimin e PD-së. Sepse edhe tani Sali Berisha po ju gënjen, manipulon dhe mashtron. Ai kërkon t’i përdorë demokratët si fasadë, sepse nesër ai ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë. Unë e di fare mirë se demokratët janë kundër dhunës, por kjo është mënyra e tij e vetme. Dhuna eshte streha e tij e fundit. PD ka marrë masa të përballet dhe t’u tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj. Shqipëria nuk mund të turpërohet duke prodhuar një ngjarje të shëmtuar antiamerikane në selinë e PD-së dhe as demokratët nuk ia kanë borxh Sali Berishës kundërvënien përballë njëri-tjetrit që ai nxit dhe provokon prej dëshpërimit të tij”, shtoi Basha.