Skandali i publikimit të pagave, 4 të arrestuar. Prokuroria zbardh skemën: Do t’i shkohet deri në fund çdolloj subjekti të përfshirë

Përditësuar më: 7/1/2022, ora 14:17

Skandali i publikimit të pagave, 4 të arrestuar. Prokuroria zbardh skemën: Do t’i shkohet deri në fund çdolloj subjekti të përfshirë

Përditësuar më: 7/1/2022, ora 14:17

Prokuroria e Tiranës thotë se ka zbardhur skemën e bërjes publike të të dhënave personale të shtetasve shqiptarë, si pagat, apo targat e makinave. Për këtë çështje, janë arrestuar 4 persona, dy punonjës të administratës dhe dy persona të tjerë. Në pranga kanë përfunduar dy punonjësit e AKSHI, Eni Qirjako dhe Andi Agaraj, si dhe Klodian Sota dhe Endri Ikomomi, të punësuar në sektorin privat.

Sipas Prokurorisë, nuk kemi të bëjmë me hakim të të dhënave, por marrje të tyre nga specialistja e IT e Drejtorisë së Tatimeve, e cila është arrestuar bashkë me një koleg të sajin.

“Kemi identifikuar 4 autorë, 2 janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, si punonjës IT, për të cilët ka dyshime se prej tyre kanë rrjedhur të dhënat personale”, tha prokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj. “Specialistja e IT e tatimeve, e punësuar në AKSHI, duke pasur akses në sistem ka marrë të dhënat dhe i ka shpërndarë te kolegu, i cili ia ka shitur subjekteve private. Pra nuk kemi hakim të rrjetit, por punonjës që kanë shpërdoruar detyrën dhe i kanë shitur këto të dhëna. Janë arrestuar edhe 2 autorë të tjerë të dyshuar, të cilët punojnë në sektorin privat që kanë blerë këto të dhëna”.

Sipas Imerajt, personat që kanë blerë të dhënat janë punonjës të përmbarimit, të cilët i kanë përdorur këto të dhëna për qëllimet e tyre. Sipas saj, po hetohet edhe për çfarë i kanë përdorur konkretisht këto persona të dhënat e përftuara në mënyrë të paligjshme. “Do t’i shkohet deri në fund çdolloj subjekti të përfshirë në këtë veprimtari, çfarëdolloj niveli qoftë ai”.