Zbulohen 70 planetë të vetmuar pa një sistem diellor

Përditësuar më: 7/1/2022, ora 13:07
planete 1 1280x720

Zbulohen 70 planetë të vetmuar pa një sistem diellor

Përditësuar më: 7/1/2022, ora 13:07

Ata enden në boshllëkun e hapësirës pa një yll mëmë, pa një objekt për t’u lidhur me të në një orbitë të rregullt. Ata janë “planetë endacakë”, mjaft të ngjashëm me çdo planet në sistemin diellor, por pa një yll referimi. Vitet e fundit disa janë identifikuar, por tani një studim i botuar në “Nature Astronomy”, njofton zbulimin e rreth 70 prej këtyre objekteve.

Një zbulim shumë i veçantë, pikërisht për shkak të numrit të madh të planetëve, por edhe për faktin se mund të ndihmojë për të kuptuar origjinën misterioze të këtyre objekteve. Planetët endacakë, të quajtur gjithashtu planetë ndëryjorë, janë jashtëzakonisht të pakapshëm dhe të vështirë për t’u vëzhguar. Nuk ka asnjë yll që i ndriçon ata dhe nuk ushtrojnë asnjë ndikim të rregullt gravitacional në objekte të tjera.

Ky zbulim është kryer duke përdorur teleskopë të ndryshëm, nga Observatori Jugor Evropian (ESO), Teleskopi Hapësinor Gaia (ESA) dhe teleskopë të tjerë, nga të cilët janë marrë mijëra imazhe në fushë të gjerë që kushtojnë qindra orë vëzhgime.

Astronomia Núria Miret-Roig nga “Laboratoire d’Astrophysique, Bordeaux, Francë” dhe koordinatore e studimit, shpjegon: “Ishte e mundur të identifikoheshin këta planetë, sepse qëndrojnë të nxehtë për miliona vjet pas formimit të tyre, prandaj lëshojnë rrezatim. Ne analizuam nivelet e shkëlqimit, si dhe veçori të tilla si ngjyra dhe lëvizjet e vogla të miliona burimeve të ndryshme në një zonë të madhe të qiellit. Kjo metodë ka bërë të mundur identifikimin edhe të trupave me shkëlqim shumë të dobët. Në veçanti, të paktën 70 nga këto burime janë në fakt planetë me masa të krahasueshme me atë të Jupiterit.

Përtej zbulimit, hulumtimi tregon se planetët lundrues nuk janë aq të rrallë sa mendohej më parë. Statistikisht, mund të jenë miliarda dhe është e vështirë për t’i vëzhguar, sepse ato janë të dukshme vetëm për disa dhjetëra miliona vjet. Në fakt, mund të ketë miliarda prej tyre vetëm në galaktikën tonë.

Por nga vijnë ata? Kjo është pyetja që astronomët i kanë bërë vetes. Aktualisht, ekzistojnë dy hipoteza, ndoshta të dyja të sakta. E para thotë se këta planetë u larguan nga sistemet diellore në një moshë të re, kur planetët e mëdhenj nuk ishin stabilizuar ende në orbita dhe që atëherë do të kishin mbajtur për miliarda vjet. Hipotezë që nuk përjashton se sistemi ynë diellor të ketë nxjerrë edhe disa planete nga brenda. Hipoteza e dytë, thotë se ato janë rezultat i një kolapsi të një reje gazi shumë të vogël për të formuar një yll. Është e mundur që numri i madh i planetëve të zbuluar mund t’i ndihmojë astronomët të kuptojnë se cila hipotezë është më e sakta.