Sot, protesta e Berishës kundër Bashës në selinë e PD

Përditësuar më: 8/1/2022, ora 08:11
PD selia rinovim 1280x720

Sot, protesta e Berishës kundër Bashës në selinë e PD

Përditësuar më: 8/1/2022, ora 08:11

Sot do të zhvillohet protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kjo protestë do të zhvillohet në selinë e partisë më të madhe opozitare të vendit, duke nisur nga ora 12:00.

Berisha i ka bërë thirrje demokratëve që të mblidhen para selisë për të zbatuar vendimin e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit dhe të referendumit të 18 dhjetorit, ku u votua shkarkimi i Lulzim Bashës.

Ditën e djeshme, Sali Berisha deklaroi: “Midis nesh nuk ka dhe nuk mund të ketë njerëz të armatosur. Ne nuk mund të hyjmë për të dhunuar asnjë njeri, përveçse mercenarët, të cilët i paralajmëroj të dalin nga ndërtesa. Bashën do ta nxjerrim me pekule”.

Ndërkohë, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat, tha se Partia Demokratike është përgatitur për t’i treguar vendin “agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj”.

“Përplasje të tjera nga ato që ka ndërmend Sali Berisha dhe skenaristët e të ashtuquajturës protestë para selisë së PD-së nuk ka e nuk duhet të ketë. Demokratëve u bëj thirrje t’u rrinë larg skenarëve të dhunës që duan destabilizim dhe shkatërrimin e PD-së. Sepse edhe tani Sali Berisha po ju gënjen, manipulon dhe mashtron. Ai kërkon t’i përdorë demokratët si fasadë, sepse nesër ai ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë. Unë e di fare mirë se demokratët janë kundër dhunës, por kjo është mënyra e tij e vetme. Dhuna eshte streha e tij e fundit. PD ka marrë masa të përballet dhe t’u tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj”, u shpreh Basha.