Rritja e pensioneve, këtë vit vetëm indeksim pas muajit maj

Përditësuar më: 9/1/2022, ora 14:48

Rritja e pensioneve, këtë vit vetëm indeksim pas muajit maj

Përditësuar më: 9/1/2022, ora 14:48

Në kulmin e krizës së shtrenjtimit të çmimeve, pensionistët do të mjaftohen vetëm me 400-500 lekë të reja më shumë në muaj.

Qeveria parashikon që këtë vit të bëjë vetëm indeksimin e pensioneve, që do të thotë rritjen e tyre në bazë të inflacionit. Në programin e ligjeve dhe vendimeve që do të merren nga Këshilli i Ministrave, kjo rritje pritet të ndodhë në katër mujorin e dytë, pra periudhën Maj-Gusht.

Në buxhetin e këtij viti, fondi i parashikuar për këtë qëllim është 2.6 miliardë lekë. Ndërsa në fund të vitit është parashikuar edhe shpërblimi me një fond prej 3.5 miliardë lekësh, apo 5 mijë lekësh për pensionist.

Ndërkohë së shpejti qeveria pritet të sjellë në Kuvend projektligjin për fondet e pensionit privat, ku synon të nxisë investimet në fonde të tilla, nga individët që kërkojnë një pension shtesë në momentin e daljes në pension.

Kjo do të arrihet edhe përmes lehtësirave shtesë fiskale për anëtarët e këtyre fondeve dhe përcaktimin e rregulloreve që i bëjnë ato më të sigurta dhe në përputhje me ligjet dhe direktivat europiane.

Aktualisht, numri i individëve që kontribuojnë privatisht në fonde pensionesh llogaritet nga AMF në gati 33 mijë.