“Keqardhje për incidentet në protestën e 8 janarit”, Këlliçi: Skenar tjetër nga ai i menduar

Publikuar më: 10/1/2022, ora 20:41

“Keqardhje për incidentet në protestën e 8 janarit”, Këlliçi: Skenar tjetër nga ai i menduar

Publikuar më: 10/1/2022, ora 20:41

Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi shprehu keqardhje për incidentet që shënjuan protestën e thirrur nga Sali Berisha më 8 janar, por theksoi se kjo erdhi për shkak të Lulzim Bashës. Në studion e Debatit me Alba Alishanin, ai pranon që e gjithë kjo nisi pas shpalljes non grata të Berishës, ndërsa akuzon kreun demokrat se kërkon bunkerizimin e PD-së.

“E vetmja mënyrë sesi PD mund të dalë nga kjo krizë është duke thënë të vërtetën. Është plotësuar pritshmëria që Basha kishte, që mbi selinë e PD të kishte incidente. Jam shumë i keqardhur që selia e PD pati ato incidente, por kjo është pasoja e një shkaku që ka 4 muaj dhe që na solli në këtë ditë dhe ai është vetëm zoti Basha. E vërtetë që nisi në 9 shtator që kur u shpall Berisha non grata, nuk e kam mohuar, por Basha nuk ka reshtur së thëni që në PD nuk ka krizë, nuk ka problem. Asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar që nga 13 qershori kur u rizgjodh kryetar partie dhe ky individ që është i shkarkuar nga kuvendi i PD, zgjidhjen e vetme gjeti bunkerizimin dhe kërkon ta kthejë në bunker PD”.

Këlliçi thekson se protesta devijoi nga skenari i organizatorëve për shkak të nisjes së saj para kohe dhe nga pamundësia e militantëve për të hyrë në seli.

“Protesta ka nisur jo në orarin e paracaktuar në 12:00, por në 11:15 nga padurimi i njerëzve dhe provokimi dhe militantë që e kishin të paimagjinueshme të hynin në seli. Përkundrazi nuk ishte qëllimi dhuna, por nisi jashtë orarit dhe pati një skenar tjetër nga ai i mirëmenduar nga organizatorët. Nuk e di si mund të hysh në një seli me lule nëse të janë blinduar dyert, ndërkohë që mercenarë e kriminelë janë në selinë  e PD dhe aktualisht që ne flasim. Brenda selisë së PD ndodhen kriminelë, vrasës. Askush nuk donte t’i shihte këto pamje, por turma ishte parapërgatitur për të hapur dyert e selisë me çdo mjet. Dhe kur u përpoq që të hapë një nga dyer ndërhyri policia me gaz lotsjellës. Sot hamë të njëjtin gaz nga Rama për të mbrojtur Bashën”.

Sipas Këlliçit nga 8 janari godina e PD-së është marrë nën mbrojtjen e kryeministrit Rama sikurse kryeministria.

“Nga dita e djeshme nuk ka më qytetarë e demokratë që nuk e di që godina e PD është marrë në mbrojtje nga Rama njësoj si kryeministria. Ramës i ka ngelur vetëm të vijë të bëjë mbledhjen e qeverisë.  Më vjen keq që jemi në këtë situatë”.