Kriza politike dhe PD, Xhafaj e Patozi kritikë me përplasjen dhe ndërhyrjen e Ramës

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 14:39

Kriza politike dhe PD, Xhafaj e Patozi kritikë me përplasjen dhe ndërhyrjen e Ramës

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 14:39

Përplasja brenda Partisë Demokrati kërcënon demokracinë dhe krijon terren për autokracinë. Me këto fjalë Fatmir Xhafaj komentoi ngjarjet e fundjavës në selinë e Partisë Demokratike dhe reagimet nga mazhoranca.

Edhe Astrit Patozi, dikur zyrtar i lartë në PD, kërkoi që në këtë mes të mos përfshihet mazhoranca sado e dëshpëruar mund të duket situata.

Më 8 janar, ndërsa shndërruan selinë e Partisë Demokratike në vendngjarje, Sali Berisha nuk e përmbushi qëllimin, Lulzim Basha vijon të mbajë zyrën e kryetarit.    

E kur demokratët janë më të përçarë se kurrë, kësaj skene nuk mund t’i mungonte kryeministri Rama me batutat dhe miklimin e demokratëve.  

Por përçarja e forcës kryesore në opozitë dhe vetëofrimi si ndërmjetës zgjidhjeje nga Edi Rama nuk janë pritur mirë nga ish-zyrtarë të lartë politikë, si demokratë ashtu edhe socialistë.

Astrit Patozi, ish-nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar, e cilësoi situatën në parti si rrjedhojë e papërgjegjshmërisë së atyre që drejtuan përplasje në oborrin e partisë, por jo në atë fazë sa të përfshihet edhe kundërshtari kryesor politik.    

“Sa do të dëshpëruar dhe të pashpresë të ngjajnë sot, për shkak të papërgjegjshmërisë së atyre që i udhëhoqën në përleshjet e djeshme, ata nuk kanë nevojë për sugjerimet e tua. Ndaj kurseji leksionet për demokratët e zhgënjyer dhe hidhi një sy anijes së lodhur të qeverisë tënde, e cila fut ujë nga të gjitha anët. Aq sa mund të fundoset edhe pa pasur nevojë për topat e kundërshtarit”, shkruan Astrit Patozi.

Fatmir Xhafaj, deputet socialist, qëndrimet e të cilit janë përplasur jo pak herë me Edi Ramën vijojnë të jenë kritike për situatën politike. Jo vetëm për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, por për të gjithë panoramën e krijuar në ditët e fundit, duke e cilësuar si terrenin ideal për lulëzimin e autokracisë dhe kleptokracisë.  

“Fatkeqësisht nuk humbën veç të falimentuarit historikë, Saliu e Luli, por të gjithë ne shqiptarët. Problemi është se me ta dhe ne si ata po humbasim të gjithë çdo ditë e nga pak. Kështu humbet liria dhe fiton autokracia, humbet demokracia dhe fiton kleptokracia, humbet Shqipëria dhe fitojnë ata që përpiqen çdo ditë ta kontrollojnë atë duke mbajtur vetë bravën dhe vetë çelësin e demokracisë”, shprehet Xhafaj.

Pavarësisht agravimit të ngjarjeve në kampin opozitar, ndërhyrja e kreut të ekzekutivit në komunikimin e tij online ku si target kishte demokratët, tensionoi edhe më shumë klimën ku mesa duket, jo vetëm tek opozita.