Osmani pranon letrat kredenciale, ambasadori amerikan flet shqip: I lumtur që jam këtu

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 16:10

Osmani pranon letrat kredenciale, ambasadori amerikan flet shqip: I lumtur që jam këtu

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 16:10

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë nisi zyrtarisht punën. Presidentja Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori Jeffrey Hovenier, i cili u emërua në këtë post në korrik të vitit të kaluar nga presidenti, Joe Biden. Detyrën e nisi me këmbë të mbarë, me disa fjalë në shqip. “Unë jam shumë i gëzuar me qenë këtu në Kosovë”.

Në adresimin e parë për media, garantoi se Uashingtoni do të vazhdojnë të jetë partner i qëndrueshëm i Kosovës.

“Para së gjithash jemi miqtë tuaj, jemi në anën tuaj, do të punojmë me ju, me qeverinë, popullin e shoqërinë civile për të avancuar prioritetet tona të përbashkëta, ashtu siç presidentja Osmani bëri zotime në Samitin për Demokraci që kanë të bëjnë me zhvillimin e institucioneve të pavarura, gjyqësorit, sundimit të ligjit, që janë shumë të rëndësishme dhe përpjekjet tona të vazhdueshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të bërë drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës”, u shpreh ambasadori amerikan.

Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës.

“Ne jemi rritur dhe zhvilluar si vend, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sepse jemi të bekuar të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë. Roli i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor për të garantuar që marrëdhënia jonë do të vazhdojë të lulëzojë.”

Në ditën e parë të punës, ambasadori amerikan Hovenier bëri homazhe pranë shtatores së presidentit historik, Ibrahim Rugova. Bashkë me Osmanin, ata vendosën lule dhe nuk munguan nderimet për punën e tij për pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.