Pas dhunës dhe shkatërrimit në PD, punohet për pastrimin e selisë

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 12:42

Pas dhunës dhe shkatërrimit në PD, punohet për pastrimin e selisë

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 12:42

Tri ditë pas protestës së të shtunës, ku mbështetësit e Sali Berishës, u futën në selinë e Partisë Demokratike dhe ku nuk munguan as përleshjet me mbështetësit e Lulzim Bashës, në seli ka nisur puna për pastrimin e dëmeve të shkaktuara. Nga përplasja e të shtunës selia e PD-së pësoi disa dëme në fasadë, por edhe brenda zyrave, siç tregoi për mediat kryetari i PD-së, Lulzim Basha, po atë pasdite.

Sali Berisha dhe deputetët e mbështetësit e tjerë të tij shkuan të shtunën në seli për të larguar Lulzim Bashën, të cilin e konsiderojnë të shkarkuar nga detyra, pas kuvendit të 11 dhjetorit 2021 dhe ratifikimit të vendimit nga anëtarësia e partisë një javë më pas. Por po në atë ditë, Basha dhe mbështetësit e tij organizuan një tjetër kuvend, ku ndryshuan statutin duke vendosur shkarkimin nga çdo funksion partiak të personave të shpallur “non grata”, siç është rasti i Berishës.

Protesta e së shtunës degjeneroi në dhunë dhe përplasje mes dy palëve, çka solli edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, e cila shpërndau me gaz lotsjellës protestuesit, ndërsa shoqëroi disa dhjetëra prej tyre. Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për provokimin e dhunës dhe për bashkëpunim me kryeministrin Rama.

Berisha dhe mbështetësit e tij kanë paralajmëruar një tjetër protestë, por nuk kanë deklaruar datën e organizimit të saj. Të shtunën, ish-kryetari i PD dhe ish-kryeministri i vendit, tha se ky ishte vetëm fillimi i betejës së tyre. Nga ana e tij, Basha u premtoi demokratëve se beteja tashmë është me tre dinozaurët e politikës, siç i quajti ai, Rama-Berisha dhe Meta.