Përplasja për selinë e PD, Nishani: 8 janari konfirmoi kush është shumica

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 13:54

Përplasja për selinë e PD, Nishani: 8 janari konfirmoi kush është shumica

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 13:54

Ish-presidenti dhe ish-kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, deklaroi në Ditarin e mesditës në A2 CNN, se protesta e 8 janarit konfirmoi edhe njëherë se kush ishte mazhoranca në partinë më të madhe opozitare, duke hedhur në këtë mënyrë poshtë, sipas tij, dhe pretendimet e Lulzim Bashës.

Nishani deklaroi se 8 janari do të ngelet në histori dhe për faktin që policia ushtroi dhunë ndaj anëtarëve të një partie brenda selisë së tyre.

“Ne gjithmonë jemi munduar të përcjellim interesin e lëvizjes brenda PD-së që është në interes të të gjithë publikut, i gjithë sistemit politik. 8 janari tregoi disa dimensione të rëndësishme. Për herë të parë në histori, ndodhi që policia e shtetit sulmoi në mënyrë të dhunshme anëtarësinë dhe veprimtarët e një partie brenda selisë së tyre politike. Ne nuk ishin mbledhur përpara ndonjë institucioni si kryeministria, ne ishim mbledhur brenda selisë sonë. Për herë të parë, policia u përdor në mënyrë të dhunshme për të ndërhyrë ndaj anëtarëve të një partie brenda selisë së tyre. U konfirmua edhe njëherë mazhoranca. Ka pasur një tentativë manipulative nga Basha, duke pretenduar se PD-ja nuk është te baza, nuk është tek anëtarësia, nuk përfaqësohet nga Komisioni i Rithemelimit. Besoj se të shtunën, u rikonfirmua tregimi viziv se kush është mazhoranca në PD dhe kush është pakica. Kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Nishani.

Nishani la të kuptohet se aktet e dhunës gjatë protestës së të shtunës në selinë e PD, ku u hodh gaz lotsjellës nga ambientet e brendshme të godinës, ka bërë që shumë deputetë të këtij grupi parlamentar të kenë reagime të ndryshme për sjelljen e Lulzim Bashës. Ish-presidenti u shpreh në A2 CNN, se deputetët që ndjekin akoma Bashën nuk guxojnë të dalin në bazë dhe të takohen me anëtarësinë.

“Ka pasur reagime të ndryshme nga shumë prej deputetëve të grupit parlamentar nga sjellja e fundit e Lulzim Bashës dhe policia që kërkon t’iu imponojë demokratëve që kush duhet të rrijë në seli. Kushdo që do të verifikojë këtë shumicë i ka dyert e hapura. A keni parë ndonjë nga deputetët që nuk është distancuar nga Basha të shkojë te baza. Shumë nga deputetët iu fshehën demokratëve. Në demokraci ka një parim, shumica vendos dhe pakica respektohet. Ne nuk mund ta lejojmë platformën e qeverisë për të pasur një PD të dobët. Ne nuk e shesim PD”, u shpreh Nishani.