Publikimi i pagave, Alibeaj: Lirimi i 4 të akuzuarve është mbrojtja e Edi Ramës për skemën e patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 14:17
WhatsApp Image 2022 01 10 at 13.29.59 1080x720

Publikimi i pagave, Alibeaj: Lirimi i 4 të akuzuarve është mbrojtja e Edi Ramës për skemën e patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 14:17

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, e quajti vendimin e Gjykatës së Tiranës për të nxjerrë nga qelia katër personat e akuzuar për nxjerrjen e pagave, si mbrojtjen që Edi Rama i bën skemës së patronazhistëve.

“Kjo është dëshmi e qartë se Edi Rama po mbron krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve. Është gjithashtu e qartë, se vendimi tregon se segmente të drejtësisë mbeten nën ndikimin direkt te Edi Ramës dhe i shërbejnë pushtetit të tij të vjedhur”, tha Alibeaj në një konferencë për mediat.

“Vendimi i sotëm, në thelb, vulos me pafajësi një nga krimet më të mëdha të Edi Ramës në lidhje me zgjedhjet dhe një nga skandalet me të mëdha të kësaj qeverie në lidhje me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave personale të qindra mijëra shqiptarëve. Vendimi i sotëm i gjykatës është dëshmi e qartë se autorët e publikimit të të dhënave, përfshirë dhe atë të patronazhistëve janë kryeministri dhe vartësit e tij. Nuk ka asnjë shpjegim juridik apo logjikë normale që të justifikojë gjykimin në gjendje të lirë për 4 personat që kryen krimin, i cili i ka shërbyer para së gjithash, Edi Ramës”.

Këtë të hënë, Gjykata e Tiranës vendosi të lirojë nga qeëlitë katër të arrestuarit për skandalin e publikimit të pagave. Gjykata e Tiranës ka vendosur detyrim paraqitje për punonjësen e Tatimeve Eni Qirjako si dhe arrest shtëpie dhe pezullim detyre për tre personat e tjerë. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pasi dyshohet se nxorën të dhënat duke ia shitur subjekteve private.