Shtimi i rasteve me Covid-19, nxënësit italianë të shqetësuar për kthimin në shkolla

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 14:22

Shtimi i rasteve me Covid-19, nxënësit italianë të shqetësuar për kthimin në shkolla

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 14:22

Nxënësit dhe mësuesit në Itali shprehin shqetësim të madh për rikthimin në shkolla pas pushimeve për festat e fundvitit. Kjo vjen si shkak i shtimit të rasteve me koronavirus, pavarësisht masave të reja të vendosura nga qeveria për të shmangur mësimdhënien online.

Rajoni i Siçilisë dhe Kampanias dhe thuajse 100 bashki të tjera shtynë rihapjen me disa ditë nga numri i lartë i të infektuarve.

Në Lazio, rajonin ku bën pjesë dhe Roma, nxënësit dhe mësuesit u kthyen në klasa, por shumë prej tyre preferonin mësimin online, derisa situata të përmirësohet.

Sipas mediave italiane, një në tre klasa do të jenë bosh, me nxënësit të detyruar t’i marrin mësimet nga shtëpia.

Në bazë të masave në fuqi, nëse ka një rast pozitiv me Covid-19 në një klasë të shkollave të mesme, nxënësit e mbetur do të vijojnë të shkojnë në shkolla me maska mbrojtëse dhe duke treguar një test negativ. Nëse të infektuarit janë dy, në shkollat italiane do të lejohen vetëm të vaksinuarit.