Trazirat në Kazakistan, presidenti: Përpjekje për grusht shteti. Putin: Nuk do të lejojmë revolucione në rajon

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 16:15

Trazirat në Kazakistan, presidenti: Përpjekje për grusht shteti. Putin: Nuk do të lejojmë revolucione në rajon

Përditësuar më: 10/1/2022, ora 16:15

Presidenti i Kazakistanit tha se trazirat disa ditore në vend kishin qenë një përpjekje e dështuar për grusht shteti. Rusia akuzon forcat e huaja për dhunën dhe e bën të qartë se nuk do të lejojë revolucione në shtetet e ish republikës sovjetike.

Për presidentin kazak Kassym-Jomart Tokayev trazirat e dhunshme të javës së kaluar në vend, ishin një përpjekje për grusht shteti. Ai u tha liderëve të aleancës ushtarake të ish shteteve sovjetike se rrëmujat ishin koordinuar nga një qendër e vetme, edhe pse nuk i përmendi përgjegjësit.

“Militantë të armatosur ju bashkuan protestave. qëllimi kryesor ishte i qartë: minimi i rendit kushtetues, shkatërrimi i institucioneve financiare, dhe kapja e pushtetit. Ishte një përpjekje për grusht shteti”, deklaroi presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev.

Edhe presidenti rus Vladimir Putin fajësoi ato që i quajti forca shkatërruese, të huaja dhe vendase, për trazirat e dhunshme në Kazakistan dhe përcolli mesazhin se Moska nuk do të lejojë revolucione në rajon. Sipas tij, disa prej personave të përfshirë në dhunë ishin trajnuar në shtete të huaja.

“Ne e kuptojmë se kërcënimi ndaj shtetësisë në Kazakistan nuk erdhi nga rritja e çmimeve të karburantit, por nga forca shkatërruese të brendshme e të jashtme që përfituan nga situata. Ne nuk do të lejojmë të ashtuquajturat “revolucione me ngjyrë” në rajonin tonë”, tha Putin.

Autoritetet thonë se situata në vend është stabilizuar, me trupat që vijojnë operacionet e spastrimit dhe ruajtjen e zonave strategjike. Gjendja e emergjencës dhe shtetrrethimi mbarëkombëtar mbeten ende në fuqi.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se gati 8 mijë njerëz janë arrestuar rreth vendit. revolta në rrugë shpërtheu në 2 janar pas rritjes së çmimit të karburantit, dhe u shtyp dhunshëm nga policia kazake, e cila urdhërua të qëllonte protestuesit. dhjetëra persona mbetën të vrarë e qindra të tjera u plagosën.