Boçi për situatën në PD: Ka krizë besimi, liderëve u ka humbur arsyeja

Përditësuar më: 11/1/2022, ora 16:17

Boçi për situatën në PD: Ka krizë besimi, liderëve u ka humbur arsyeja

Përditësuar më: 11/1/2022, ora 16:17

Një nga deputetet më të votuar të PD-së, që arriti të thyejë herësin në Elbasan, Luçiano Boçi, bën për A2 CNN një skaner të shpejtë të asaj që po ndodh në Partinë Demokratike. Sipas tij, PD-ja ka një krizë besimi dhe liderëve u ka humbur arsyeja. Dalja sa më shpejt nga kjo spirale, ndalimi i veprimeve dhe vendimeve arbitrare, si dhe hapja e partisë për një votim të lirë të anëtarësisë, shikohet si e vetmja zgjidhje për Boçin që PD-ja të rikthehet aty ku e ka vendin. 

“Ka një krizë mosbesimi në PD, e shprehur më pas në supozimin e grupimeve të caktuara që identifikohen në dy emra. Kriza  e besimit nuk nisi sot, ka ekzistuar në PD, por u krijuan rrethanat që derdhën edhe pikën e fundit të gotës dhe ja ku jemi, një seri përplasjesh i humbjes së arsyes të ish-liderëve të PD-së. Vendimet arbitrare ndjekin njëra-tjetrën. Vendimi arbitrar, mbyllja dhe ngujimi brenda PD-së, vendimi tjetër shoqëruar me përjashtimin e shumë personaliteteve të PD-së, që mungon arsyeja dhe unë e gjykoj që është i panjohur dhe nuk do të njihet si vendim. Por që gjithë kjo mënyrë të vepruari të ndërpritet, duhet të vendoset marrëveshja e heshtur apo e negociuar për një proces zgjedhor brenda PD-së. Anëtarët do të votojnë dhe në fund do të bien dakord për një drejtues pas të cilit do të jetë gjithë PD-ja, vetëm kështu vendoset besimi, dhe vetëm kështu PD-ja mund të jetë alternativë drejtuese e këtij vendi, pasi gjasat duket që nëse vazhdon kjo spirale, PD-ja nuk mund të jetë alternativa drejtuese e vendit”.