Deficiti i pensioneve, tatimet kanë 121 milionë euro kontribute pa mbledhur

Përditësuar më: 11/1/2022, ora 16:34

Deficiti i pensioneve, tatimet kanë 121 milionë euro kontribute pa mbledhur

Përditësuar më: 11/1/2022, ora 16:34

Sikur të mos mjaftonte raporti i ulët i të punësuarve me numrin e pensionistëve, skema e sigurimeve shoqërore rëndohet edhe nga performanca e dobët e administratës tatimore në mbledhjen e kontributeve. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të ardhurat e munguara nga kontributet llogariten në 14.8 miliardë lekë apo rreth 121.8 milionë euro. Kjo është vlera totale e debitorëve në sigurime shoqërore, nga ku 3.4 miliardë lekë apo 28 milionë euro u shtuan vetëm gjatë vitit 2020.

Kjo vlerë përbën 3.4% të të ardhurave në arkën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2020.

Çdo vit, ekonomia shqiptare humbet thuajse 2% të PBB-së, për të mbuluar deficitin e skemës së pensioneve. Në 2020-n, pjesa që u mbulua nga buxheti kulmoi në 29 miliardë lekë, apo rreth 240 milionë euro.

Ndërsa përgjatë gjysmës së parë të vitit 2021, deficiti i skemës u thellua më tej, pavarësisht rritjes së pagës minimale dhe asaj maksimale, që do të duhej të rrisnin të ardhurat në skemë. Sipas të dhënave të ISSH, deficiti për 6 muaj arriti në 12.6 miliardë lekë, nga 10.3 miliardë lekë për gjashtëmujorin e parë të 2020-s.

Në një kohë kur vendi po rikuperohet nga kriza e shkaktuar nga pandemia dhe përballet njëherazi me krizën energjetike dhe atë të rritjes së çmimeve, skema e pensioneve konsiderohet nga ekspertët si një nga rreziqet e mëdha që i kanosen ekonomisë.