Kultura pa kufi, veprat letrare në shqip e serbisht

Përditësuar më: 11/1/2022, ora 17:11

Kultura pa kufi, veprat letrare në shqip e serbisht

Përditësuar më: 11/1/2022, ora 17:11

Ka mbi 25 autorë serbë të përkthyer në shqip, por shumë më pak shqiptarë të përkthyer në serbisht. Këtë sheqtësim, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit e ndau në vizitën e saj në Beograd, shqetësim i përsëritur edhe në takimin e kthimit në Tiranë.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë siguroi se përpjekja do të jetë e madhe që letërsia e dy vendeve të përkthehet: “Do ta nisim me tre vepra, le ta nisim edhe me dy, nuk ka rëndësi, rëndësi ka që ky bashkëpunim të nisë. Ka nisur shumë më herët me Kadarenë, një autor të jashtëzakonshëm shqiptar që do të doja ta kishte fituar Nobelin, se i bën mirë gjithë rajonit. Por, po ashtu dua të përmend Ivo Andriç, nobelistin serb të përkthyer në shqip”.

Emri i Ivo Andriç lidhet edhe me planin për shpërbërjen e shqiptarëve nga trojet për të spastruar Ballkanin, një plan që me Ballkanin e Hapur bie ndesh: “Ivo Andriç ka qenë një diplomat në një kohë tjetër, në kohën e një Gjermanie tjetër, në një kohë ku Hitleri ishte i rëndësishëm. E kuptoj reagimin tuaj për projektin e tij politk, por unë e lakova si shkrimtar dhe do të doja që shumë prej jush ta shihnit si të tillë. Sigurisht, jo të gjithë do ta ndanin shkrimtarin nga politikani, por është zgjedhje e lexuesit. Letërsia e tij është shumë më shumë dhe unë do të doja ta lexonit të ndarë nga projekti i tij”.

Pyetjes nëse i dukemi ne më të prirur për të qenë të hapur në dialog sesa pala serbe, duke qenë se në letërsi kemi përkthyer më shumë autorë serbë se sa kanë përkthyer ata nga letërsia jonë, Vladimir Pishtalo i përgjigjet se puna nis nga studimet albanologjike në Beograd. Dhe dikur, katedra albanologjike ka qenë më e interesuar për letërsinë që vinte shqip. Zotimi se edhe këtu do të punohet për të zgjuar interesin e përkthyesve dhe studiuesve ishte një ndër premtimet e takimit.