Lugina përrallore e fshehur në zemër të Evropës

Publikuar më: 11/1/2022, ora 10:53

Lugina përrallore e fshehur në zemër të Evropës

Publikuar më: 11/1/2022, ora 10:53

Lugina Vipava, ndonëse shumë pranë kryeqytetit slloven, Lubjana, ende nuk është e njohur nga turistët për bukuritë dhe veçantitë që e karakterizojnë. Sipas CNN Travel, në këtë rajon jashtëzakonisht pjellor, kombinohen natyrshëm peizazhet karstike me kështjellat mesjetare, si dhe vera me ushqimin jashtëzakonisht të mirë.

Ky vend njihet për mikroklimën e vet, të ngjashme më atë të Mesdheut, por dhe për erërat e forta që sjellin kushtet optimale të rritjes së verërave të klasit të lartë në Slloveni. Megjithatë, dhjetëra kantina, ndonëse prodhojnë një verë shumë cilësore, janë të nënvlerësuara – ndër to dhe kantina shumë të vjetra, si ajo “Vipave”. Që nga viti 1894, kjo kantinë bashkon verërat nga 350 prodhuesit më të mirë të verës në vend.

Fshatrat e këtij rajoni, janë dhe prodhuesit më të mëdhenj të pemishteve me kajsi, pjeshka dhe hurma, por njihen edhe për prodhimin e proshutave të thara, duke konkurruar denjësisht me fqinjët italianë. Ushqimin fantastik vendas, turistët kanë mundësi ta shijojnë në fermat dhe restorantet e agroturizmit, të vendosura në ndërtesat e vjetra të shekullit të 17-të.

Ndër të tjera, vende të shumta të Luginës kanë trashëguar edhe një histori gati 2000-vjeçare, e cila dëshmohet më së miri në mbetjet arkeologjike. Të tilla janë mbetjet e kalasë romake Castra, pranë lumit Hubelj, e ndërtuar rreth shekullit të 3-të, por edhe kishat e shumta baroke, apo Manastiri i famshëm Capuchin, në bibliotekën e të cilit ruhen dorëshkrimeve të rralla.