Përjashtime dhe pezullime, Aldo Bumçi: Nuk i njoh vendimet e Bashës, i ka humbur demokratët përjetë

Përditësuar më: 11/1/2022, ora 09:57

Përjashtime dhe pezullime, Aldo Bumçi: Nuk i njoh vendimet e Bashës, i ka humbur demokratët përjetë

Përditësuar më: 11/1/2022, ora 09:57

Ish-ministri Aldo Bumçi ishte i ftuar në “Dita jonë”, pak minuta pasi Partia Demokratike publikoi vendimin e Kryesisë për përjashtimin përgjithmonë të Sali Berishës, së bashku me anëtarët e Komitetit të Rithemelimit, si dhe pezullimin e dhjetëra të tjerëve, ku bënte pjesë dhe ai vetë.

Bumçi deklaroi se nuk e njeh këtë vendim të Bashës, i cili, sipas tij, i ka humbur përjetë demokratët me këto akte që po bën.

“Unë nuk jam i pezulluar. Basha nuk ka lidhje më me PD-në. Lulzim Basha nuk njohu gati 5000 firma të delegatëve të partisë që mbushën stadiumin. Sot, ai është njeriu i Edi Ramës. Është një ditë e keqe për demokracinë që të arrijmë që qeveria të kontrollojë opozitën. Pa Edi Ramën, Basha nuk do të qëndronte në zyrë, e mbrojti ndërhyrja brutale e policisë së shtetit. Lulzim Basha, sot është Edi Rama, por që do të kontrollojë godinën e PD-së. Demokratët i ka humbur përjetë, nuk ka lidhje me PD-në, është politikisht i vdekur. Nuk del do të bëjë një mbledhje”, u shpreh Bumçi.

Në lidhje me protestën e dhunshme të 8 janarit, Bumçi deklaroi se të gjithë e dinin që Policia e Shtetit do të ndërhynte kur t’ia kërkonte Lulzim Basha.

Ai shtoi se faktet flasin qartë se cila palë ushtroi dhunë mbi tjetrën, duke shtuar se nga personat e mbyllur brenda godinës së PD-së, nuk ka asnjë të lënduar.

“Më 8 janar, me 99% ne e dinim që Edi Rama do të ndërhynte kur t’ia kërkonte Lulzim Basha. Ai thirri policinë, ajo ndërhyri. Kur ka mbështetjen e demokratëve, përse thërret policinë? Kemi 12 protestues në spital, qindra të asfiksuar nga gazi. Sa ka të lënduar nga brenda godinës? Kishte një protestë për të hapur dyer? Ajo nuk është shtëpia e Lulzim Bashës. Sa ka të lënduar nga rendi? Asnjë”, përfundoi Bumçi në “Dita jonë”.