Takimi SHBA-Rusi, Moska: Nuk e pushtojmë Ukrainën, por duam garanci nga NATO

Përditësuar më: 11/1/2022, ora 13:22

Takimi SHBA-Rusi, Moska: Nuk e pushtojmë Ukrainën, por duam garanci nga NATO

Përditësuar më: 11/1/2022, ora 13:22

Rusia siguroi Shtetet e Bashkuara se nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën, pasi diplomatë nga të dyja vendet u takuan për bisedime të nivelit të lartë në Gjenevë. Pas një takimi që zgjati më shumë se 7 orë ditën e hënë, të dyja palët u dakordësuan të vijojnë përpjekjet për të reduktuar tensionet. Megjithatë, nuk pati sinjale për zhvillime të rëndësishme pas bisedimeve.

“Nuk mendoj se dikush do të befasohej nga fakti se Rusia do të na thoshte se nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën. Se këto janë thjeshtë manovra dhe stërvitje ushtarake. Por do të theksoja se asnjë nga këto manovra nuk ishte e lajmëruar dhe ne e lajmërojmë njëri-tjetrin për stërvitje të mundshme aty ky mundemi. Ata mund të provojnë atë që thonë duke tërhequr trupat nga kufiri”, tha Wendy Sherman, Zv.sekretare Amerikane e Shtetit.

Rreth 100 mijë trupa ruse besohet të jenë pozicionuar pranë kufirit me Ukrainën, duke nxitur frikën për një pushtim të mundshëm. SHBA-ja ka kërcënuar Rusinë me sanksionet më të forta deri më tani nëse do të sulmojë.

“I shpjeguam kolegëve tanë se nuk kemi në plan të sulmojmë Ukrainën. Stërvitjet ushtarake të trupave po zhvillohen brenda territorit tonë dhe nuk ka asnjë arsye t’i frikësohemi një skenari të tillë”, Sergei Ryabkov, Zv.minister i Jashtëm i Rusisë.

Zëvendës Sekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, i cilësoi bisedimet si të sinqerta dhe drejtpërdrejta dhe kishin ndihmuar për të kuptuar më mirë shqetësimet e secilës palë. Megjithatë, ajo theksoi se Uashingtoni i kishte refuzuar ato që i quajti propozime të papranueshme për qeverinë amerikane, përfshirë kërkesën e Moskës që NATO të angazhohej për të mos e anëtarësuar kurrë Ukrainën në aleancë. “Ne nuk do të lejojmë askënd të minojë politikën e dyerve të hapura të NATO-s e cila ka qenë bosht i aleancës”, tha ajo.

Bisedimet janë të parat e një sërë takimeve mes SHBA-së, aleatëve dhe zyrtarëve rusë këtë javë që do të përfshijnë gjithashtu një takim në selinë e NATO-s në Bruksel të mërkurën dhe atë OSBE, ditën e enjte.