Akuzohet si autor i një vrasjeje 13 vite më parë në Elbasan, arrestohet në Gjermani

Publikuar më: 12/1/2022, ora 09:55
ekstradim 1024x557

Akuzohet si autor i një vrasjeje 13 vite më parë në Elbasan, arrestohet në Gjermani

Publikuar më: 12/1/2022, ora 09:55

Një 40-vjeçar është vënë në pranga në Gjermani dhe është ekstraduar në Shqipëri, ku akuzohet për një vrasje të ndodhur 13 vite më parë.

Policia bën të ditur se personi i ekstraduar është shtetasi me iniciale F. Sh., 40 vjeç. Sipas policisë, ky person është arrestuar nga autoritetet policore në Gjermani, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore gjermane. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në shtator të vitit 2021, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Shtetasi F. Sh., në datën 22.07.2009, në lagjen “Vullnetari” Elbasan, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. R.

Po ashtu, nga Gjermania është ekstraduar edhe Shpëtim Kiri, 63 vjeç. Sipas policisë, ky shtetas ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal (ka pasur rolin e transportuesit), i cili u godit në kuadër të operacionit policor “GARANTUESIT”, zhvilluar në vitin 2018, në DVP Shkodër, ku pas dokumentimit me prova ligjore, u arrestuan 9 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

Këtë shtetas, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në korrik të vitit 2020, e ka dënuar me 4 vite, 2 muaj e 14 ditë burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit më shumë se një herë e kryer në kuadër të grupit të strukturuar” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.