Bisedimet NATO-Rusi, palët ende nuk pajtohen për uljen e tensioneve në Ukrainë

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 20:03
Untitled collage 1 1280x720

Bisedimet NATO-Rusi, palët ende nuk pajtohen për uljen e tensioneve në Ukrainë

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 20:03

Dy raunde bisedimesh diplomatike nuk e bindën Rusinë që të angazhohet për uljen e tensioneve në kufirin me Ukrainën. Takimi i organizuar nga NATO nxori në pah qëndrimet e kundërta që kanë palët për shumë çështje.

Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk pranoi ultimatumet për të mbyllur derën e anëtarësimeve të reja ndërsa përsëriti thirrjen për largimin e rreth 100 mijë ushtarëve rusë pranë kufirit me Ukrainën.

“Dallimet tona nuk do të jenë të lehta për t’u kapërcyer, por është një shenjë pozitive që të gjithë aleatët e NATO-s dhe Rusia u ulën në të njëjtën tryezë dhe u angazhuan në tema thelbësore”, Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO.

Kreu i NATO-s refuzoi krahasimet mes ndërhyrjes së aleancës në Kosovë në vitin 1999 me situatën aktuale në Ukrainë. Nga ana tjetër, Rusia paralajmëroi se përshkallëzimi i tensioneve mund të sjellë pasoja të rënda për Europën. Për të qetësuar situatën, kërkon garanci me shkrim që NATO nuk do të zgjerohet në lindje.

 “Detyra kryesore e politikave të NATO-s dhe e shtrirjes ushtarake është të pengojë Rusinë. Për këtë arsye po ndahen burime të mëdha. Ata nuk e pranojnë se ky është synimi kryesor i Aleancës”, Alexander Grushko, zv.ministër i Jashtëm i Rusisë.

Bisedimet e nivelit të lartë janë një përpjekje e NATO-s për të kthyer një konflikt të mundshëm ushtarak për Ukrainën në një proces politik dhe diplomatik. Megjithatë perëndimi është i përgatitur për çdo skenar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë gati opsionin e sanksioneve të rënda ekonomike në rast se Rusia pushton Ukrainën.