“Do të kthehen pagat e referencës për profesione të ndryshme”

Publikuar më: 12/1/2022, ora 21:23

“Do të kthehen pagat e referencës për profesione të ndryshme”

Publikuar më: 12/1/2022, ora 21:23

Sokol Kraja, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve, i ftuar në studion e “A2 Business” me Aurora Sulçen, në A2 CNN, deklaroi se “ka 30% diferencë mes pagës mesatare në shtet dhe asaj në privat”.

“Tatimet po merren me hulumtimet e bizneseve që janë me risk të lartë. Evazioni në Shqipëri nuk është vetëm te pagat. Mos të bëjmë sikur kemi zbuluar diçka të madhe. Evazioni është njësoj kudo, si në bujqësi apo turizëm. Pa dyshim që pagat janë të ulëta. Ka 30% diferencë mes pagës mesatare në shtet dhe asaj në privat. Pra, pagat e deklaruara në shtet janë 30% më të larta se pagat e deklaruara në privat. Këtu shihet diferenca e informalitetit. Mos të harrojmë që bizneset dalin nga një pandemi dhe qeveria është munduar që të mos jetë shumë e egër me bizneset në dy vitet e fundit”, deklaroi Kraja.

Sipas tij, “informaliteti në Shqipëri vjen duke rënë, jo duke u rritur”.

“Është vetë sistemi i tillë në çdo ekonomi që zhvillohet: kontrollet janë më të mira, çdo gjë është “online”, tani u fut edhe fiskalizimi, që ndihmon tërthorazi organet tatimore për një kontroll më të mire”, theksoi Kraja.

Më tej, kreu i Shoqatës së Prodhuesve nënvizoi: “Me sa kuptoj unë, kjo punë do të shkojë me paga reference, siç janë në doganë sistemet e referencës, do të kthehen pagat e referencës për profesione të ndryshme”.