Kriza në PD, Boçi: Kutia e votimit është zgjidhja

Publikuar më: 12/1/2022, ora 20:46

Kriza në PD, Boçi: Kutia e votimit është zgjidhja

Publikuar më: 12/1/2022, ora 20:46

Luçiano Boçi, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, u shpreh se “kutia e votimit është zgjidhja” për krizën ku është përfshirë kjo parti.

“Palët duhet t’i afrohen kutisë së votimit. Mjafton që të pranohet votimi dhe nuk ka nevojë që të ndërhyjë dikush. Vota është çelësi i artë i zgjidhjes së çdo konflikti. Kutia e votimit është zgjidhja, meqë pretendojnë edhe që janë shumica. Në një parti mund të ketë edhe zgjedhje të parakohshme dhe lidershipi e ka për detyrë që të mbajnë të bashkuar partinë”, deklaroi Boçi.

Sipas tij, dhuna u shkaktua nga personat brenda në seli dhe jo nga ata jashtë saj: “Nga pala e anëtarëve të selisë nuk pati asnjë të plagosur apo të shtruar në spital, ndërkohë që nga pala e anëtarësisë së Partisë Demokratike ishin me dhjetëra ata që pësuan dëmtime fizike, ndërsa ishin me mijëra ata që pësuan sulm me gaz. Për 48 orë u mohua blindimi i partisë, më pas u zbulua se kjo gjë kishte ndodhur. Deputetët donin të hynin në shtëpinë e tyre për të dialoguar dhe pritësi duhet të hapte derën për njerëzit, disa prej të cilëve ishin edhe miqtë e tij”.

Luçiano Boçi theksoi se debatet në parti nuk zgjidhen me spastrime, duke iu referuar përjashtimeve dhe pezullimeve të ditëve të fundit.

“Një parti që ndërtohet mbi baza të lirisë së mendimit e të fjalës, ekzistenca e debatit është themelore për suksesin e saj. Një parti pa debat “rrudhet”. Procesi i debatit nuk duhet ndërprerë me spastrime, por duke gjetur zgjidhje të përbashkëta në tavolinë, edhe atëherë kur duket sikur zgjidhja nuk ekziston. Nuk mund të jesh i paqtë me kundërshtarin politik dhe kaq agresiv me anëtarët e partisë tënde, aq më tepër me deputetët demokratë”, deklaroi Boçi.