Merr detyrën komandanti i ri i Forcës Ajrore, Peleshi: Kjo forcë do të operojë së shpejti në një bazë taktike të NATO-s

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 13:45
WhatsApp Image 2022 01 12 at 11.48.14 1089x720

Merr detyrën komandanti i ri i Forcës Ajrore, Peleshi: Kjo forcë do të operojë së shpejti në një bazë taktike të NATO-s

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 13:45

Gjeneral brigade Ylli Pulaj mori sot, zyrtarisht detyrën e komandantit të Forcës Ajrore të FA. Gjeneral brigade Pulajt iu dorëzua flamuri luftarak i Forcës Ajrore nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj në një ceremoni, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, e komandantë të forcave.

Ministri Peleshi e cilësoi këtë një moment të merituar për gjeneral brigade Pulajn, i cili me propozim të ministrit të Mbrojtjes u dekretua nga presidenti si gjeneral brigade dhe më pas si komandant i FAj. Por, sipas ministrit Peleshi këtë forcë e presin shumë sfida përpara në raport me anëtarësimin në NATO, bashkëpunimin me partnerin strategjik SHBA, por edhe kontributi që ajo jep gjatë gjithë vitit pranë komunitetit të Emergjencave Civile.

“Jam i bindur që gjeneral brigade Pulaj me këtë promovim do të punojë edhe më shumë edhe më mirë, do të jetë edhe më pranë problemeve edhe do t’i përballojë me sukses disa sfida që kemi përpara. Duhet të kujtojmë që pas pak ditësh fillojmë punimet zyrtarisht në bazën ajrore të Kuçovës. Forca jonë Ajrore tashmë do të operojë në një bazë taktike të rëndësishme të aleancës së NATO-s. Pas pothuajse një viti ne do të presim edhe helikopterët  Black Hawk, të cilët do të jenë të parët, por jo të fundit në flotën tonë ajrore, e cila po shkon drejt modernizimit, padyshim duke u përballur me sfidën e vështirë të rritjes së gatishmërisë”, u shpreh, gjatë fjalës së tij ministri Peleshi, duke shprehur edhe ambicien se deri në fund të vitit FAj do të jetë në gatishmërinë më të lartë që kanë pasur në vitet e fundit.

“Do ta pasurojmë, do ta modernizojmë, do të rrisim kapacitet e brendshme për mirëmbajtjen dhe gatishmërinë, por natyrisht do të konsolidojmë dhe një marrëdhënie të re tashmë të konkretizuar me NATO-n, me Agjencinë e Prokurimit të NATO-s, falë së cilës siç edhe e provuam, kemi një përgjigje shumë të shpejtë në mirëmbajtjen, në riparimin, në shërbimin e flotës sonë ajrore”, theksoi ministri Peleshi.

Teksa shprehu falënderimet për besimin e dhënë, gjeneral brigade Ylli Pulaj tha se prioritetet e punës së Forcës Ajrore do të fokusohen në: “rritjen e eficiencës së përdorimit operacional të mjeteve ajrore; rritjen e kapaciteteve kombëtare të vëzhgimit ajror dhe përmirësimin e shkëmbimit të pamjes ajrore me strukturat përkatëse të NATO-s; rritjen e asistencës profesionale ndaj avionëve luftarake të NATO-S, gjatë realizimit të misionit të tyre të policimit ajror, në Hapësirën Ajrore të Republikës së Shqipërisë, por edhe rritjen e profesionalizmit gjatë operacioneve, në mbështetje të popullsisë civile dhe autoriteteve shtetërore”.

Gjeneral brigade Ylli Pulaj, gjatë karrierës së tij në Forcat e Armatosura ka shërbyer në detyra të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ndërsa së fundmi mbante detyrën e zëvendëskomandantit të Forcës Ajrore.