Ministrja e Financave: Rritja ekonomike në 2021 parashikohet 8,6%. Në 2022, ulim borxhin në nivelin 78,8% të GDP

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 12:16
WhatsApp Image 2022 01 12 at 12.01.35 1080x720

Ministrja e Financave: Rritja ekonomike në 2021 parashikohet 8,6%. Në 2022, ulim borxhin në nivelin 78,8% të GDP

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 12:16

Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2021, parashikohet të jetë 8,6% krahasuar me vitin 2020. Kështu tha ministrja e  Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat. Ky parashikim është ndjeshëm më i lartë se sa ai i bërë nga Komisioni Europian në nëntor, ku rritja parashikohet të jetë 6,9%, krahasuar me vitin 2020.

Ibrahimaj tha gjithashtu se për vitin 2021, qeveria pret të realizojë të ardhura në nivelin 506 miliardë lekë, një rritje me 21% krahasuar me vitin 2020 dhe 11% krahasuar me vitin 2019. “Rritja e ndikuar nga ecuria e bizneseve, por edhe nga fiskalizimi”, tha Ibrahimaj.

Në vitin 2021, sipas Ibrahimajt, janë hapur 16 090 biznese të reja. “Rritja ekonomike do të vijojë, sigurisht jo në nivelet e vitit 2021, pasi kanë bazë shumë të ulët nga 2020. Planifikojmë rritje rreth 4% për vitin 2022. E besojmë fort këtë pasi kemi ndërmarrë disa nisma të miradministrimit fiskal, që do të sjellin rritje të qëndrueshme. Gjatë vitit 2022, do të ndjekim politikë fiskale të kujdesshme, duke synuar uljen e nivelit të borxhit publik. Në vitin 2021, niveli i borxhit ishte 80,1% , ndërsa në vitin 2022 është parashikuar të zbresë në 78,8% e GDP”.

Ajo shtoi se norma e papunësisë në tremujorin e tretë, në nivelet e vitit 2019. “Kjo tregon që ekonomia është rigjallëruar. Nuk flasim më për rimëkëmbje të ekonomisë, por për reforma strukturore që do të çojnë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik”. Në tremujorin e tretë 2021 pagat u rritën me 6%, ndërsa GDP për frymë pritet që në 2022 të jetë në nivelin 661 mijë lekë për banor. Ibrahimaj tha gjithashtu se eksportet janë rritur 35,4% krahasuar për vitin 2020, ndërsa importet janë rritur me 31,1% krahasuar me vitin 2020.