Protesta në PD, gjykata liron të 34 të arrestuarit, asnjë masë “arrest shtëpie”

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 19:14

Protesta në PD, gjykata liron të 34 të arrestuarit, asnjë masë “arrest shtëpie”

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 19:14

Pas një seance që zgjati gati pesë orë në total, gjyqtari Arben Miçko vendosi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për 20 prej të arrestuarve dhe lënien pa asnjë masë sigurie për 14 të tjerë.

Seanca u nda në dy pjesë. Në fillim para gjykatës dolën protestuesit mbështetës të Sali Berishës, e më pas u zhvillua seanca për 11 të arrestuarit e tjerë, që gjatë protestës ishin brenda selisë së Partisë Demokratike.

Përmes avokatëve të tyre, të gjithë të arrestuarit mohuan akuzat. Ata pretenduan se nuk kishin kryer veprime të dhunshme në protestë. Hapa pas në seancë bëri edhe përfaqësuesi i Prokurorisë, i cili u tërhoq nga një prej 5 kërkesave për “arrest shtëpie”, si edhe nga 7 prej kërkesave për “detyrim për paraqitje”, duke kërkuar hetim pa masë sigurie për 5 akuza, mes të cilave “shkatërrimi i pronës” dhe “armëmbajtje pa leje” Dy seancat u ndoqën nga deputetët e dy kampeve të protestës së 8 janarit.

Pas përfundimit të seancës, përfaqësuesit e grupit të rithemelimit të PD, pretenduan se vetëm 18 nga të arrestuarit ishin mbështetës të tyre, duke mos i konsideruar si të tillë 5 kosovarët e arrestuar pas protestës.

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës për protestën tek selia blu është përqëndruar në dhunën nga protestuesit drejt godinës, në përdorimin e lëndëve të panjohura nga brenda godinës drejt protestuesve dhe në mbajtjen e sendeve të paligjshme nga protestuesit.