Rekord infektimesh në Europë e SHBA, Fauci: Omicron mund t’i prekë të gjithë

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 14:43

Rekord infektimesh në Europë e SHBA, Fauci: Omicron mund t’i prekë të gjithë

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 14:43

Askush mund të mos i shpëtojë variantit Omicron, por të vaksinuarit do ta kalojnë më lehtë sëmundjen. Paralajmërimi vjen nga eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci, ndërsa varianti shumë i transmetueshëm po përhapet si zjarri në pyje në vend dhe Europë.

“Omicron, me fuqinë e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë të përhapjes do të gjejë çdo kënd. Edhe të vaksinuarit apo ata me tre doza do të ekspozohen ndaj virusit. Disa, ndoshta shumë prej tyre do të infektohen, por do të kenë më shumë mbrojtje sa i përket hospitalizimit dhe vdekjes. Të pavaksinuarit do të mbajnë peshën më të rëndë të kësaj vale”, tha Fauci.

1 në 5 amerikanë ose 65 për qind e popullsisë mbetet e pavaksinuar, ndërsa shtrimet në spital i tejkaluan 132 mijë, shifra më e lartë që prej shpërthimit të pandemisë.

Edhe Europa vijon të shënojë rekorde të zymta të infektimeve me Omicron. Gjermania raportoi shifrat më të larta të infektimeve ditore me mbi 80 mijë raste të reja dhe 384 vdekje.

Bullgaria shënoi një rekord prej 7062 rastesh të reja më 12 janar, ndërsa Polonia u bë vendi i fundit europian që tejkaloi mbi 100 mijë vdekjet e lidhura me Covid-19. Franca mbetet vendi më i prekur pas Shteteve të Bashkuara dhe prej disa ditëve raporton mbi 300 mijë infektime.

Sakaq në Britaninë e Madhe, po vërehet një rënie e lehtë e kurbës së infektimeve me Omicron, me 114 raste të raportuara në 24 orët e fundit. Megjithatë, problem mbetet ngarkesa në spitale, edhe për shkak të mungesës së stafit.