Zgjedhja e presidentit të ri, Balla: Do të presim të shprehet Gjykata Kushtetuese

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 13:40

Zgjedhja e presidentit të ri, Balla: Do të presim të shprehet Gjykata Kushtetuese

Përditësuar më: 12/1/2022, ora 13:40

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë të ditur se është zhvilluar konferenca e parë e kryetarëve për sesionin e ri parlamentar, seanca e parë e të cilit do të mbahet më 17 janar.

“Ne kemi zhvilluar konferencën e parë të kryetarëve për këtë sesion, ku është miratuar kalendari, programi i punës. Kemi diskutuar me përfaqësuesit e opozitës lidhur me disa çështje që janë pjesë e kalendarit. Puna kryesore do të lidhet me ngritjen e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

Sapo kuvendi të rifillojë punën më 17 janar, ne do të kemi mundësi ta detajojmë dhe të synojmë që më 27 janar, të kemi mundësi që kjo të votohet. Kjo ka qenë diskutimi që kemi zhvilluar në konferencën e kryetarëve”, tha Balla.

Balla u pyet edhe për zgjedhjen e presidentit të ri, i cili pritet të ndodhë gjatë këtij sezoni, duke u shprehur se do të pritet të shprehet më herët Gjykata Kushtetuese.

“Më 18 janar, zhvillohet një seancë e parë e Kushtetuese, ku pala në fjalë, që është kuvendi, e njëjta shumicë që ishte në legjislaturën e kaluar ka përgjegjësinë që të shkojë në Kushtetuese dhe të mbrojë qëndrimin në fjalë. Kështu që një përfaqësi do të jetë në atë seancë për të paraqitur të gjitha provat e gjetura për shkarkimin e presidentit. Ajo që ne kemi gjetur në raportin përfundimtar të komisionit janë fakte dhe prova që justifikojnë shkarkimin. Kushtetuta nuk ka lënë vakum në këtë aspekt. Në momentin e shkarkimit të presidentit, menjëherë kryetari i kuvendit ushtron kompetencat dhe kuvendi nis procedurën për zgjedhjen e presidentit të ri. Proceduara është e qartë”, u shpreh Balla.