Mbi 15 milionë raste në një javë, OBSH: Omicron më i butë, por i rrezikshëm për të pavaksinuarit

Përditësuar më: 13/1/2022, ora 12:28

Mbi 15 milionë raste në një javë, OBSH: Omicron më i butë, por i rrezikshëm për të pavaksinuarit

Përditësuar më: 13/1/2022, ora 12:28

Mbi 15 milionë raste të reja të nxitura nga varianti Omicron u raportuan rreth botës javën e fundit, shifra më e lartë 7 ditore që prej shpërthimit të pandemisë.

Megjithëse ngre alarmin për numrin rekord të infektimeve, shefi i OBSH Tedros Adanom Gebrejesus e pranon se varianti tejet infektuese është më pak agresiv se Delta. Por sipas tij, për personat e pavaksinuar ai vazhdon të mbetet një virus i rrezikshëm. Gjatë një konferencë për shtyp në gjeneve, Grebrejesus bëri të ditur se numri i vdekjeve javore kishte mbetur i qëndrueshëm qe prej tetorit të kaluar, me një mesatare prej 48 mijë humbje jetësh. Hospitalizimet po rriten në shumicën e vendeve, por jo në nivele të vërejtura në valët e kaluara.

“Nuk duhet t’i hapim rrugën virusit apo të nxjerrim flamurin e bardhë, veçanërisht kur kaq shumë njerëz rreth botës mbeten të pavaksinuar. Në Afrikë më shumë se 85 për qind e qytetarëve nuk kanë marrë ende një dozë të vetme të vaksinës. Nuk mund t’i japim fund fazës akute të pandemisë nëse nuk e eliminojmë këtë hendek”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori OBSH.

OBSH paralajmëroi se ka ende rrugë të gjatë deri ne përmbushjen e objektivit për vaksinimin e 70 për qind të popullsisë së çdo vendi deri në mesin e vitit. Sipas organizatës, 90 vende nuk kanë imunizuar ende 40 për qind të popullsisë, ndërsa në 36 prej tyre niveli nuk e kalon 10 përqindëshin. OBSH rekomandon gjithashtu përshtatjen e vaksinave për të forcuar mbrojtjen ndaj varianteve të reja.

Faktin se Omicron është më pak agresiv se Delta, e tregoi edhe një studim i ri i zhvilluar në SHBA. Duke marrë në shqyrtim rreth 70 mijë persona të prekur, studiuesit në Kaliforni arritën në përfundimin se të infektuarit me Omicron kishin 50 për qind më pak mundësi te hospitalizohen, 75 për qind më pak gjasa për kujdes intensiv dhe 90 për qind më pak shanse të vdisnin në krahasim me atë që ishin prekur nga Delta.