Rritja e çmimeve, duhen masa për uljen e kostove te biznesi

Publikuar më: 13/1/2022, ora 14:40

Rritja e çmimeve, duhen masa për uljen e kostove te biznesi

Publikuar më: 13/1/2022, ora 14:40

Rritja e inflacionit në nivelet rekord të 3,7% në dhjetor shihet me shqetësim nga ekspertët. Sipas tyre, ekonomia shqiptare do të vijojë të përballet me rritjen e mëtejshme të çmimeve, çka do të rëndojë buxhetet e konsumatorëve, një pjesë e të cilëve po hasin vështirësi në plotësimin e nevojave bazë për ushqim. Sipas të dhënave të bankës Botërore, 1/3 e popullsisë jeton në kufijtë e varfërisë, me 5,5 dollarë në ditë.

“Nëse një ose dy vite përpara përballeshim me krizën e pandemisë, tani përballemi me krizën e inflacionit”, thotë për A2 CNN Enton Duro, ekspert për ekonominë. “Si ekonomi duhet ta zgjidhim problemin e inflacionit. Ai i dhjetorit është 3,7% dhe pritshmëritë janë edhe për një normë më të lartë në vijim. Kriza është përtej pritshmërive të Bankës Qendrore”.

Duro sugjeron lehtësimin e kostove për biznesin, me qëllim amortizimin deri diku të çmimeve fundore për qytetarët. Ai shprehet se paketa fiskale e këtij viti do të japë efektin e kundërt, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi inflacionin. “Duket sikur kapacitetet për të gjetur vende të reja dhe forca të reja pune po reduktohen. Dhe në këtë kuptim, edhe politika fiskale, përmes pritshmërive për rritjen e pagës minimale, që shërben si nxitës i inflacionit, dhe nga krahu tjetër përmes lehtësirave tatimore me tatimin mbi të ardhurat personale, duhet të gjykojë nëse janë të drejta për impaktin që mund të kenë në rritjen e kostove për bizneset”, thotë Duro.

Inflacioni arriti në dhjetor në 3,7%, niveli më i lartë në 11 vitet e fundit. Banka e Shqipërisë ka deklaruar se rritja e çmimeve pritet të vijojë deri në qershor të këtij viti dhe në varësi të situatës, do të analizohet mundësia e ndërhyrjes me masa, nëpërmjet rritjes së kostos së lekut.