3 orë në prokurori për 8 janarin, Bardhi: Autorët nuk fshihen, të vendosen para përgjegjësisë

Përditësuar më: 14/1/2022, ora 14:22

3 orë në prokurori për 8 janarin, Bardhi: Autorët nuk fshihen, të vendosen para përgjegjësisë

Përditësuar më: 14/1/2022, ora 14:22

Gazment Bardhi, sekretari i përgjithshëm i PD-së, qëndroi për rreth 3 orë, këtë të premte, në prokurori për të dëshmuar në lidhje me ngjarjet e ndodhura më 8 janar në selinë e Partisë Demokratike.

Bardhi u shpreh se autorët e kësaj ngjarjeje janë tashmë të identifikuar dhe duhet të vihen sa më parë para përgjegjësisë.

“Ka vijuar bashkëpunimi me prokurorinë që në momentet e para të ngjarjes. Unë jam përgjigjur dhe kam dhënë shpjegime për çdo çështje për atë që ka ndodhur në selinë e PD-së. Kam kërkuar dhe vijoj të kërkoj zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimit të autorëve.

Autorët as nuk fshihen, as nuk skuqen dhe as nuk zverdhen. Berisha ka marrë autorësinë e një akti të dhunshëm ndaj selisë së PD-së. Bashkë me të, edhe një pjesë tjetër e individëve të përfshirë janë vetidentifikuar dhe unë pres nga prokuroria të vendosë para përgjegjësisë autorët.

Kam informuar prokurorinë e Tiranë se policia është njoftuar në orën 12:27 minuta. Ka pasur një komunikim të vijueshëm. Kam telefonuar më shumë se 7 herë zyrtarët më të lartë të policisë dhe ndërhyrja e tyre ka qenë rreth 40 minuta me vonesë”, tha Bardhi.

Një ditë më parë, në prokurori dëshmoi edhe Sali Berisha në lidhje me ngjarjet e 8 janarit.