Braçe kërkon interpelancë me kryeministrin Rama

Përditësuar më: 14/1/2022, ora 11:22
7e876eee 07d6 434c a222 c0d9167e9dd9 986x720

Braçe kërkon interpelancë me kryeministrin Rama

Përditësuar më: 14/1/2022, ora 11:22

Ish-zëvendëskryeministri, Erion Braçe thotë se ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama, për të folur për problemet e bujqësisë.

Në një video në Instagram, ku njoftoi kërkimin e interpelancës, Braçe thotë se çmimet e produkteve bujqësore nuk janë rritur nga fermerët, por për shkak të rritjes së çmimeve të lëndëve të para.

“Kostot e bujkut janë rritur, çmimet e prodhimeve të tij jo!

Raporti mes çmimit të inputeve dhe çmimit të produktit të bujkut është tmerrësisht i padrejtë:

1 kg ure kushton 110 lekë, por 1 kg grurë kushton 30 lekë; 1 kg DAP kushton 110 lekë, por 1 kg misër kushton deri 38 lekë; 1 kg nitrat kushton 90 lekë, por 1 kg domate (më e mira) kushton 50 lekë! Çmimet e drejta të lëndëve të para, por edhe produkteve të bujkut, janë detyrë e qeverisë!”, shkruan Braçe.

Shqipëria është nga vendet e pakta në Europë e Rajon, ekonomia e së cilës ka një varësi të theksuar nga bujqësia. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, kontributi i saj në Prodhimin e Brendshëm Bruto arriti në 19,3 për qind gjatë vitit të shkuar nga 18,9 për qind që ishte në vitin 2019.

Në krahasim me vendet e Rajonit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të të punësuarve në bujqësi se çdo vend tjetër. Sipas të dhënave nga institutet e statistikave, në vend janë mbi 40 për qind e të punësuarve në këtë sektor, krahasuar me 19 për qind në Bosnjë-Hercegovinë e Serbi, 16.4 për qind në Maqedoninë e Veriut dhe vetëm 7.6 për qind në Malin e Zi.

Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e fermerëve në Shqipëri janë informalë, e nëse paligjshmëria është fjala që kemi dëgjuar më shpesh këto vite, shifrat e sektorit të bujqësisë janë më të frikshmet. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vend janë mbi 355 mijë ferma bujqësore, ndërsa vetëm 61 000 prej tyre janë formalizuar. Pra, më shumë se 85 për qind e fermerëve nuk identifikohen me anë të një NIPT-i.