Gjykata e Lartë godet presidentin Biden, nuk ka vaksinim të detyrueshëm

Publikuar më: 14/1/2022, ora 08:51

Gjykata e Lartë godet presidentin Biden, nuk ka vaksinim të detyrueshëm

Publikuar më: 14/1/2022, ora 08:51

Gjykata e Lartë në SHBA i jep një goditje të fortë përpjekjeve të presidentit amerikan, Joe Biden, për të luftuar pandeminë e Covid-19, duke bllokuar urdhrin e administratës për vaksinim ose testim të detyrueshëm në bizneset e mëdha, në një kohë kur infeksionet po përhapen me shpejtësi.  

“Punonjësit privatë mund të zgjedhin të vaksinohen ose të testohen, por Gjykata e Lartë tha sot se qeveria federale nuk mund t’i detyrojë ta bëjnë”, u shpreh avokati Elie Honig.

E megjithatë, Gjykata e Lartë i dhuroi një fitore administratës Biden, duke lënë në fuqi urdhrin për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve të shëndetësisë. 

“Urdhri për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve të shëndetësisë do të shpëtojë jetët e pacientëve dhe po ashtu të mjekëve, infermierëve dhe të tjerëve që punojnë në këtë sektor. Do të mbulojë 17 milionë punonjës në 76 mijë facilitete mjekësore”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Biden tha në një deklaratë se ishte i zhgënjyer nga vendimi që bllokon urdhrin e vaksinimit të punonjësve në kompani të mëdha. Por Shtëpia e Bardhë theksoi se nuk heq dorë nga planet për të inkurajuar bizneset privatë, për të kërkuar vullnetarisht vaksinim të detyrueshëm.

SHBA-ja përballet me një valë të vrullshme infektimesh, ndërsa varianti Omicron po nxit rekord rastesh dhe shtrimesh në spital. Administrata Biden kishte vlerësuar se vaksinimi i detyrueshëm do të shpëtonte 6500 jetë dhe do të parandalonte 250 mijë shtrime në spital.

Vendimi i Gjykatës gëzoi paraardhësin e Biden, Donald Trump, i cili tha se urdhri do të kishte dëmtuar edhe më shumë ekonominë.