Hetimi për protestën e 8 janarit, Basha jep shpjegime në prokurori: Kriminelët ishin jashtë selisë

Përditësuar më: 14/1/2022, ora 19:47

Hetimi për protestën e 8 janarit, Basha jep shpjegime në prokurori: Kriminelët ishin jashtë selisë

Përditësuar më: 14/1/2022, ora 19:47

Lulzim Basha nuk mundi të sfidojë përpikërinë e Sali Berishës në orarin e paraqitjes në Prokurorinë e Tiranës. Drejtuesi i Partisë Demokratike mbërriti në institucion 1 orë e 45 minuta më vonë se koha e planifikuar.

Për gati 2 orë të tjera ai dha shpjegime për 8 janarin e kaluar brenda selisë së PD, teksa godina ishte rrethuar nga mbështetës të paraardhësit të tij. Nga i njëjti vend ku një ditë më herët Berisha përmendi mercenarë dhe kriminelë, Basha pranoi ekzistencën e tyre në përballjen e 8 janarit tek PD, por në versionin e tij, ata ndodheshin jashtë selisë blu.

Tha se kishte kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen para përgjegjësisë të organizatorëve dhe atyre që bënë akte dhune, por nuk njihte personat që dolën në ballkonin e zyrës së tij dhe u përplasën me protestuesit.

 Para Bashës, në prokurori u pyet Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili po ashtu kërkoi gjetjen e autorëve të dhunës.

Gjatë të enjtes për llogari të hetimit të nisur pas episodeve të dhunës në protestën pranë selisë së PD u morën në pyetje në Prokurori, ish-kryeministri, Sali Berisha dhe deputeti Flamur Noka.