Patozi tregon “gabimin e jetës” së Sali Berishës

Përditësuar më: 14/1/2022, ora 21:20

Patozi tregon “gabimin e jetës” së Sali Berishës

Përditësuar më: 14/1/2022, ora 21:20

Astrit Patozi, në “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, tregoi “gabimin e jetës” që bëri Sali Berisha.

“Gabimi i jetës së Sali Berishës është që nuk shkoi në Kuvendin e 18 dhjetorit dhe bashkë me Lulzim Bashën, të bënte një betejë. Duhet të shkonte aty dhe në atë kuvend, po të kishte shumicën, që unë besoj që e ka, ai sigurisht që do ta mundte Bashën dhe mund të merrte kontrollin e partisë. Nuk shkoi aty dhe mori me vete dy fatura: e para që nuk shfrytëzoi mundësinë për të verifikuar shumicën dhe e dyta, mori faturën e 8 janarit”, deklaroi Patozi.

Ai shtoi se “Lulzim Basha i ka bërë “detyrat” e veta, ka bërë përjashtime dhe pezullime, pavarësisht se këto nuk kanë ndonjë vlerë. Ai i ka hedhur në erë urat që e lidhin Sali Berishën. Nga ana e tij, Sali Berisha është më i disavantazhuar, pasi duhet që formacionin e tij politik ka kthejë në baza juridike, gjë që nuk e bën pasi nuk dëshiron që të pranojë se dështoi në rimarrjen e Partisë Demokratike”.

“Sali Berisha duhet të pranojë faktin që Lulzim Basha nuk e lëshon vulën. Në kryetarokraci, vula ka shumë peshë. Berisha tha se ishte revolucion paqësor, por ç’punë ka revolucioni me selinë? Çfarë i duhet revolucionit, selia? Në rast se pretendojnë që kanë shumicën, shumica instalohet edhe në një cep të bulevardit, në një çadër. Ajo shumicë verifikohet që në zgjedhjet e para, por në PD ka humbur koncepti i votës, garës, kontributit dhe rregullave të bashkëjetesës politike në një organizatë. Është hera e parë në 31 vjet që Sali Berisha hyn në një betejë pa e pasur vulën e partisë në xhep”, u shpreh ish-nënkryetari i PD-së.

Kur u pyet pse Sali Berisha nuk e shmangu 8 janarin, Patozi u përgjigj: “Sipas meje, Berisha nuk kishte pse protestonte në selinë e partisë. Nuk njoh precedent në histori protestë në derën e opozitës, zakonisht protestohet në derën e qeverisë. Në këtë kuptim, them që gaboi pasi duhet të shmangte fetishizimin e selisë, logos apo vulës”.