Brenda “shtëpisë së kanabisit” në Shkodër

Përditësuar më: 15/1/2022, ora 14:31

Brenda “shtëpisë së kanabisit” në Shkodër

Përditësuar më: 15/1/2022, ora 14:31

Një “shtëpi kanabisi”, si ato që jemi mësuar të zbulohen shpesh në Angli, është gjetur nga efektivët e policisë në fshatin Bërdicë të Shkodrës, gjatë një operacioni ku u arrestuan 8 persona, mes të cilëve 5 punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Autoritetet arritën të futeshin në një banesë të përshtatur për kultivim të kanabisit, e pajisur edhe me llamba për ngrohjen e bimës. Në total, policia tha se ka sekuestruar 1200 fidanë narkotikë të kultivuar në vazo, 730 bimë të dyshuara kanabis, 64 llamba elektrike, 64 impiante kondicionerësh për pastrim ajri dhe 40 stabilizatorë elektrikë.

Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestrua edhe një armë zjarri, fishekë luftarakë, një automjet dhe 4 celularë. Përveç të arrestuarve, policia shpalli në kërkim edhe pronarin e banesës dhe një nga bashkëpunëtorët e tij. Në operacion janë përfshirë edhe Forcat Shqiponja.

Në pranga përfunduan: E. M., 38 vjeç, T. B., 27 vjeç, I. S., 20 vjeç, banues në Shkodër dhe u shpallën në kërkim A. H. dhe E. N. Gjithashtu u ndaluan edhe 5 punonjës të OSHEE-së, shtetasit: I. T.,  38 vjeç, shef ekipi pranë OSHEE-së, P. Ç., 58 vjeç, shef teknike pranë OSHEE-së, A. H.  61 vjeç, elektricist pranë OSHEE-së , H. L., 45 vjeç, elektricist pranë OSHEE-së, B. A., 43 vjeç, lexues i OSHEE-së në zonën e Bërdicës, si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. H., 35 vjeç, koordinatori i zonës së shpërndarjes pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, në zonën që ata kishin në monitorim.

“Nga hetimet e policisë, rezultoi se shtetasi A. H., pronari i banesës, në bashkëpunim me shtetasit E. N. dhe E. M., kishin përshtatur banesën për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave. Shtetasit e arrestuar T. B., I. S. dhe E. M., në momentin që është zhvilluar operacioni ndodheshin në ambientet e banesës që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike”, tha policia.