Stërvitja rraskapitëse e njësisë elitare të Tajvanit për të përballuar rrezikun kinez

Publikuar më: 15/1/2022, ora 14:10

Stërvitja rraskapitëse e njësisë elitare të Tajvanit për të përballuar rrezikun kinez

Publikuar më: 15/1/2022, ora 14:10

Nëse rreziku më i madh që të kanoset është “Made in China”, atëherë përpjekjet për ta përballuar atë duhet të jenë ekstreme. Sidomos nëse je një ishull i vogël në Oqeanin Paqësor.

Pikërisht këtë po bëjnë anëtarët e një njësie elitare të ushtrisë së Tajvanit, e ngjashme me Navy SEALs. Nga grupi i ushtarëve specialë, të përbërë nga 31 vetë, vetëm 15 arritën të përfundonin kursin 10-javor. 7-ditëshi i fundit, i pagëzuar si “java e ferrit” u kulmua me “rrugën drejt Parajsës”, një zvarritje prej gati 100 metrash mbi gurë të dhëmbëzuar.

“Tri ditët e para janë tepër sfilitëse, por në fund gjërat përmirësohen, pasi trupi mësohet me këtë ritëm. Sigurisht duhet shumë vullnet dhe vendosmëri për të përfunduar kursin”, thotë 26-vjeçari Wu Yu-wei.

Gjatë kursit gjumi është i rrallë, dhe shpesh disa prej kadetëve shemben në tokë nga lodhja. Për t’i kthyer në vete shërben vetëm uji i ftohtë. Në rast lufte me Kinën, e cila pretendon se ishulli është pjesë territoriale e saj, Patrulla Amfibe e Zbulimit do të ketë si detyrë futjen pas shpinës së armikut, pikasjes së pozicioneve të tij dhe dhënien e miratimit për sulm frontal. Të gjithë kandidatët për njësinë speciale kanë hyrë vullnetarisht aty, për shkak të atdhedashurisë dhe dëshirës për të arritur limitet e vetvetes. “Nuk kam frikë nga vdekja, sepse e dua vendin tim, e dua Tajvanin”, thotë 30-vjeçari Fu Yu në një intervistë për Retures. “Do ta jepja jetën për Tajvanin, pa diskutim”.

Stërvitja e tyre përbëhet nga marshime të gjata dhe orë të tëra nën ujë. Shumica e kohës kalohet në det apo në pishina, ku ata mësohen të mbajnë frymën nën ujë për periudha të gjata kohore dhe të notojnë me uniformë dhe armatimet në shpinë. Gjatë një dite, mund të arrijnë të flenë edhe vetëm pesë minuta, të shtrirë në tokë.

Synimi është që këta ushtarë të krijojnë vullnetin e hekurt për të përfunduar misionin e tyre sado i rrezikshëm të jetë ai. Sipas instruktorëve, objektivi nuk është të tregohen mizorë ndaj kadetëve, por të formojnë tek ata aftësitë për të tejkaluar vështirësitë e luftës.