Civici: Borxhi publik dhe informaliteti janë sfidat kryesore të 2022. Në pikëpyetje investimet e huaja

Përditësuar më: 17/1/2022, ora 10:26

Civici: Borxhi publik dhe informaliteti janë sfidat kryesore të 2022. Në pikëpyetje investimet e huaja

Përditësuar më: 17/1/2022, ora 10:26

Borxhi publik dhe informaliteti janë sfidat kryesore të vitit 2022 në aspektin ekonomik. Kështu u shpreh ekonomisti Ardian Civici në studion e “Dita jonë”, sipas të cilit, në pikëpyetje ngelen edhe investimet e huaja direkte, të cilat thekson ai janë oksigjen për ekonominë.

“Sfidat kryesore për vitin 2022 janë problemi i borxhit publik dhe sfida tjetër është informaliteti, se edhe publikimi i të dhënave personale, përveç pjesës negative dha mesazhin si është ndërtuar sistemi i pagesave në Shqipëri. Dhe ky nuk është vetëm te pagat, por te mënyra si funksionon i gjithë buxheti. 2022 ka pikëpyetje për investimet e huaja direkte. Sado të kemi investime publike e private, investimet e huaja janë oksigjen për ekonominë shqiptare. Vendet e vogla të Ballkanit, deri diku, e kanë shumë zor të zhvillohen brenda vetes. Investimet e huaja direkte duhen parë në një këndvështrim më të gjerë, në klimën e biznesit për të luftuar korrupsionin dhe klientelizmin”.

Civici theksoi gjithashtu se ekonomia shqiptare rrezikohet nga rritja e çmimeve, inflacioni dhe kriza energjetike.

“Ekonomia shqiptare rrezikohet nga faktorë të rastit edhe faktorë strukturorë e afatgjatë. Të parët, janë rritja e çmimeve dhe goditja inflacioniste. Inflacioni në këto momente është problem i përbotshëm. Këtë vit është i kushtëzuar nga kriza energjetike. Kërkesa shumë e lartë që kemi në nëntor-dhjetor, lidhet me faktin se remitancat dhe pse ishin të larta, nuk ishin në nivelet e viteve të kaluar dhe oferta vendase nuk ishte në ato nivele”.

Por edhe këtë vit, sipas Civicit, ekonomia është nën presionin e pandemisë. Ndërtimi dhe turizmi mund të rikthehen në normalitet, ndërsa duhen parë sektorët më delikatë si industria, transporti dhe zhvillimi rural.

“Është një vit që të ndodhë kthesa ose rikthimi para pandemisë, apo tërmetit. Kthesat janë të lidhura edhe me politikat dhe faktorët ndërkombëtarë dhe viti 2022 është nën presionin e pandemisë çka tregon se ekonomia nuk është e çliruar nga faktorët të jashtëm. Rezultatet e 2021 ishin të larta. Duhet të shohim edhe problemin e punësimit dhe rikthimin në punë se ende në biznese nuk ka ndodhur rikthimi në punë siç ishte para pandemisë. 2022 duhet parë në disa aspekte, sektorët që mund të rikthehen në normalitet. Ndërtimi ka edhe presionin më të madh për të investuar, turizmi do të rikthehet me kapacitet të plotë. Ngelen për t’u parë sektorë delikatë si industria, transporti dhe zhvillimi rural”.