Shqipëri-Turqi, marrëdhënia e mirë politike ndihmon ekonomitë e dy vendeve

Përditësuar më: 17/1/2022, ora 16:22

Shqipëri-Turqi, marrëdhënia e mirë politike ndihmon ekonomitë e dy vendeve

Përditësuar më: 17/1/2022, ora 16:22

Ekspertët e ekonomisë analizojnë se zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Turqisë reflekton marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve. Por jo vetëm kaq. Gent Beqiri, ish-drejtori i Agjencisë për nxitjen e investimeve të huaja shpjegon se tregu shqiptar është më fleksibël ndaj mallrave turke, për shkak edhe të një çmimi më të favorshëm për konsumatorët vendas kundrejt mallrave me origjinë nga vendet europiane.

“Në këtë aspekt, sipërmarrësit turq janë shumë më tepër fleksibël, mund të pranojnë shumë më tepër marrëdhënie në vendin tonë. Ndërkohë që kur bëhet fjalë për investime të vendeve të BE, mënyra e të bërit biznes e tyre është ndryshe”, thotë Beqiri.

Përveç sektorëve tradicionalë, si tregu bankar, telekomunikacioni, energjia etj., bashkëpunimi i Shqipërisë me Turqinë është shtrirë vitin e fundit edhe në tregun mjekësor. Kjo si rezultat i bashkëpunimit mes dy vendeve gjatë periudhës së pandemisë.

“Kemi një lloj zgjerimi thuajse 360 gradë në këtë kuptim. Si pasojë e pandemisë, Turqia ka qenë partneri ynë kryesor në aspektin shëndetësor, dhe jo vetëm. Këta tregues flasin për një marrëdhënie shumë të fortë”, thotë Beqiri.

Politikisht, Shqipëria dhe Turqia e kanë shpallur njëra-tjetrën si aleate dhe partnere të rëndësishme, një sinjal ky për tregjet dhe investitorët e të dyja vendeve për të rritur bashkëpunimit dhe nxitur shkëmbimet mes tyre edhe në vijim.