Skema e Shehit për zgjedhjet bashkiake: Nëse Basha e Berisha nuk e ndjekin, kam frikë se do të jenë të fundit për të dy

Përditësuar më: 19/1/2022, ora 14:59
19 JANAR 2022 DITARI 13 00 CLN frame 64573 1280x720

Skema e Shehit për zgjedhjet bashkiake: Nëse Basha e Berisha nuk e ndjekin, kam frikë se do të jenë të fundit për të dy

Përditësuar më: 19/1/2022, ora 14:59

Deputeti Dashamir Shehi thotë në një intervistë për A2 CNN që, nëse demokratët nuk bashkohen për zgjedhjet e pjesshme bashkiake që do të mbahen pas disa javësh, Basha dhe Berisha rrezikojnë të zhduken nga skena politike. Këto zgjedhje, që pritet të mbahen në 6 bashki më 27 shkurt ose 6 mars të këtij viti, vijnë në një kohë të vështirë për opozitën, thotë Shehi.

“Me thënë të drejtën e kemi krijuar pjesërisht vetë ne si opozitarë, megjithatë është një provë për ne. Edhe pse nuk do të kemi rezultate shumë të mira nuk do ta bëja tragjike, se dramatike është. Unë propozoj një skemë elementare fare: Të bëjmë një komision të përbashkët të gjithë palët, të zgjedhim për çdo qytet nga një kandidat, pa paragjykimin se është i grupit Berisha, grupit Basha apo ndonjë tjetri. Por një njeri që maksimizojë votat”.

PD në krizë, çfarë do të bëjnë aleatët? Dashamir Shehi në A2 CNN

PD në krizë, çfarë do të bëjnë aleatët? Dashamir Shehi, në A2 CNN – www.a2cnn.com

Posted by A2 on Wednesday, January 19, 2022

I pyetur se cilin sheh si më të fortë momentalisht në elektorat, Bashën apo Berishën, Shehi thotë: “Nëse doni ta dini, nuk është asnjëri. Nëse nuk i interpretojnë zgjedhjet kështu siç them unë, kam frikë që do të jenë, për të dy, zgjedhjet e fundit. Gara është me Edi Ramën, votat do t’i merren qytetarit. Votat e militantëve janë një grusht, krahasuar me votën e njerëzve. Qytetari i thjeshtë, kur sheh që nga një krah është një i fortë, me mbështetjen e qeverisë, dhe nga krahu tjetër janë 2-3 kandidatë, rri në shpi, nuk del në zgjedhje. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë rast për të treguar se opozita, me gjithë problemet që ka, është një lloj shumice, pasi kjo qeverisje e ka tepruar”.

Megjithatë, Shehi thotë që, nëse Berisha dhe Basha vendosin të shkojnë në zgjedhje me kandidatë të veçantë, edhe ai, si kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, do të mendojë për kandidatë të tjerë. “Nuk ka nevojë të shkojmë të gjithë në miting, por të jetë përfaqësuesi i të gjithë palëve. Garën ta lënë për herë të tjera, këtu nuk ka më garë për partitë. Fatkeqësisht, garën për partitë ia falëm Ramës, duke mos hyrë në zgjedhje. Këtu votojmë për individë. Nga një krah do të jetë njeriu i Edi Ramës, me gjithë financimet e qeverisë, nga krahu tjetër do të jetë një njeri i të gjithë neve. Nëse dalim me dy-tre kandidatë, ka mbaruar kjo punë. Nëse ata duan të dalin veç e veç, edhe ne do të mendojmë tonin, sado i vogël”.

“Të bëjmë sikur nuk zihemi. Në politikë ne nuk bëjmë krushqi… E kemi diskutuar me aleatët e tjerë, kjo është ideja. Por për mendimin tim s’ka më aleancë, sepse ajo qe të gjithë ne, bashkë me PD-në. Tani PD-ja nuk ka më nevojë për idetë tona. Sot fillon një fazë e re opozitare. Këto zgjedhje janë një lloj skeme. Le ta vazhdojmë rivalitetin, por kur të hyjmë në zgjedhje, për efekt të pragmatizmit propozoj këtë skemë”, thotë Shehi.