Themeli tregon se sa janë prekur buxhetet e familjeve shqiptare nga rritja e çmimeve

Përditësuar më: 19/1/2022, ora 21:32
themeli 1280x720

Themeli tregon se sa janë prekur buxhetet e familjeve shqiptare nga rritja e çmimeve

Përditësuar më: 19/1/2022, ora 21:32

Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, u shpreh në studion e “A2 Business” me Aurora Sulçen, në A2 CNN, se “rritja e kërkesës për produkte, ka detyruar bizneset që të kërkojnë më shumë fuqi punëtore dhe të paguajnë më shumë për sigurimin e kësaj fuqie punëtore”.

“Pikërisht për këtë, Banka e Shqipërisë ka deklaruar me kohë që presim që inflacioni të shkojë 3% në fund të vitit 2022 dhe kemi parashikuar fillimin e normalizimit të politikës monetare gjatë këtij viti”, u shpreh Themeli.

“Gjithashtu, kemi patur rritje të energjisë, të naftës dhe të indeksit të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Duke qenë se produktet që tregtohen në vend janë shumica produkte importi, rritja e çmimeve ka nisur të pasqyrohet në ekonominë vendase”, shtoi drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë.

Sipas tij, nuk ka evidenca për abuzime me çmimet, pavarësisht se nuk i përjashton raste të tilla.

Kur u pyet se sa janë prekur buxhetet e familjeve shqiptare, Themeli tha se produktet kushtojnë sot mesatarisht 3,7% më shumë sesa një vit më parë.

“Kuptohet që familjet me të ardhura më të pakta, shpenzojnë më shumë për ushqime, pra për artikujt që janë rritur më shumë, kështu që perceptimi i tyre i inflacionit është shumë më i lartë. Por, vërtet kemi një rritje të kostos së jetesës, por konstatojmë edhe një rritje të të ardhurave në ekonomi”, deklaroi Themeli.