A do ketë një përballje ligjore për PD, Kaso: Gati për çdo skenar. Flet dhe për mundësinë e një partie të re

Përditësuar më: 21/1/2022, ora 22:44
INTERVISTA PJESA E DYTE IVI KASO MERITA 0001 frame 23219 1280x720

A do ketë një përballje ligjore për PD, Kaso: Gati për çdo skenar. Flet dhe për mundësinë e një partie të re

Përditësuar më: 21/1/2022, ora 22:44

Përballja mes dy palëve se kush do të ketë legjitimitetin e Partisë Demokratike ishte një nga temat e diskutuara në Intervistën e Ivi Kasos me Merita Haklajn në A2 CNN.

Ndonëse një nga opsionet është përballja në gjykatë, Ivi Kaso u shpreh se Komisioni i Rithemelimit është i përgatitur për çdo skenar dhe shtoi se nëse Basha e bën këtë gjë thjesht kërkon të shtyjë verdiktin e demokratëve.

“Është e mundshme teorikisht. Është një ushtrim që bëhet për herë të parë për një forcë të madhe politike. Nuk e kisha besuar se me mendësinë e mbajtjes së vulës dhe selisë të vepronte dhe forca më e madhe e opozitës, partia që lindi si shpresë. Përballemi me këtë situatë. Kemi një anë që nuk e ka vënë kurrë në dyshim legjitimitetin e saj, siç është Partia Demokratike, e cila gëzon mbështetjen e të gjithë demokratëve dhe përfaqësohet përmes organit të zgjedhur masivisht nëpërmjet përkrahjes së delegatëve të PD dhe Komisionit të Rithemelimit, e cila duke mos pasur shqetësime për çështjen e legjitimitetit të saj nuk ka kontestuar në mënyrë gjyqësore palën tjetër. Pala tjetër mund ta bëjë. Jemi të përgatitur për çdo skenar, por ajo do tregonte dobësinë e një pale që me marifete do të shtyjë verdiktin e votës së demokratëve. Nëse ka një gjë nga e cila ka alergji pala e vulës është vota dhe kjo është e çuditshme”, tha Kaso.

Ivi Kaso gjithashtu mohoi mundësinë se mund të konsiderohet dhe alternativa e krijimit të një partie të re opozitare.

“Që të ndodhë kjo që thoni ju, do të duhet që të iknin të gjithë demokratët, pjesa më e madhe e të cilëve mbështet zgjidhjen legjitime brenda partisë që ofron Komisioni i Rithemelimit. Do të duhej të iknin të gjithë demokratët dhe partia t’i ngelej vetëm një fraksioni dhe demokratët më pas të formonin partinë e tyre në selinë e tyre. Gjë e cila as ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur. Nuk mund të ikin demokratët për shkak të interesave të një personi apo një grushti personash”, përfundoi Kaso.